Që në orët e para të mëngjesit të gjitha komunat e Kosovës janë mbuluar nga reshjet e dendura të borës, ku njësoj ka ndodhur edhe në komunat e regjionit të Gjakovës.
Për të kuptuar më shumë se si qëndron situata në terren Telegrafi ka kontaktuar me Kapiten Albin Sahatqija, Komandant i Njesisë Rajonale të Trafikut në Rajonin e Gjakovës, i cili ka thënë që janë në kontakt të vazhdueshëm me menaxherët që po bëjnë pastrimin e rrugëve.
“Për momentin gjendja e rrugëve është në rregull, pasiqë jemi në kontakt të vazhdueshëm me menaxherët e kompanive që po bëjnë pastrimin e rrugëve, të cilët janë duke punuar që pavarësisht vështirësive minimale që mund të hasen në qarkullim, rrugët të jenë të kalueshme.” , tha Sahatqija, raporton Telegrafi.
Tutje Kapiten Sahatqija ka apeluar që gjatë këtyre kushteve atmosferike qytetarët të tregohen sa më të kujdesshëm.
“Duke marrë parasysh temeperaturat e ulëta (ngricat, akulli I zi), mjegulla dhe reshjet atmosferike (reshjet e borës dhe shiut), atëherë çdo drejtues i mjetit gjatë lëvizjes me automjet, duhet të jetë i kujdesshëm dhe t’i përshtatet kushteve të rrugës dhe reshjeve të ndryshme gjatë gjithë kohës së sezonit dimëror. Poashtu, apeli i Policisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor është që t’i shmangen vozitjes me automjete në relacione të shkurtra.” /Telegrafi/