Site icon Telegrafi

Pastrimi i dyfishtë i fytyrës: A është vërtet i nevojshëm?

Kur mendojmë për rutinën tonë të kujdesit të fytyrës, larja e fytyrës është zakonisht hapi i parë që na vjen në mendje. Por koncepti i “pastrimit të dyfishtë” ka fituar terren vitet e fundit, duke ofruar një qasje më gjithëpërfshirëse për mirëmbajtjen e lëkurës

Në rutinat koreane të kujdesit të lëkurës, pastrimi i dyfishtë është një hap i domosdoshëm. Por çfarë është saktësisht pastrimi i dyfishtë dhe pse duhet ta përfshijmë atë në rutinën tonë?

Çfarë është pastrimi i dyfishtë?

Pastrimi i dyfishtë nuk ka të bëjë vetëm me larjen e fytyrës dy herë, por përdorimin e dy llojeve të ndryshme produkteve të pastrimit për një eliminim më efektiv të papastërtive nga lëkura.

Faza e parë përfshin përdorimin e një pastruesi me bazë vaji apo edhe uji micellar për të hequr mbetjet e grimit, si dhe kremin e diellit që ka qëndruar gjithë ditën në fytyrë. Vaji ose uji micellar janë ideale për të “shkrirë” vajrat, duke e lënë lëkurën të pastër.

Faza e dytë e pastrimit fokusohet në një pastrues të butë për të hequr të gjitha papastërtitë e tjera nga lëkura, si pluhuri dhe ndotësit atmosferikë, pa shkaktuar acarim ose “zhveshje” të lëkurës nga hidratimi natyral i saj.

GettyImages

Përfitimet e pastrimit të dyfishtë

Një fytyrë e pastër është hapi i parë dhe më i rëndësishëm për një lëkurë të shëndetshme. Aplikimi i pastrimit të dyfishtë ofron një pastrim më të thellë, duke lejuar lëkurën të thithë më mirë produktet e kujdesit që pasojnë.

Falë përdorimit të llojeve të ndryshme të pastruesve, pastrimi i dyfishtë siguron që të hiqen mbetjet e dukshme dhe të padukshme.

Kush ka nevojë për pastrim të dyfishtë dhe kur?

Pastrimi i dyfishtë nuk është i nevojshëm për të gjithë. Nëse keni lëkurë të yndyrshme ose përdorni grim çdo ditë, mund të zbuloni se pastrimi i dyfishtë çdo natë mund të jetë ideali për ju. Faza e parë e pastrimit do të heqë papastërtitë më të vështira, ndërsa e dyta do të kujdeset për largimin e papastërtive që mund të mos duken me sy të lirë.

Por nëse lëkura juaj është e thatë ose nuk përdorni shpesh grim, pastrimi i dyfishtë mund të mos jetë i nevojshëm çdo ditë. Në këto raste, vetëm një pastrues i butë mund të jetë i mjaftueshëm.

Për më tepër, për ata me rosacea, ekzemë ose lëkurë veçanërisht të ndjeshme, pastrimi i dyfishtë mund të jetë më agresiv në lëkurë dhe të shkaktojë thatësi ose acarim. /Telegrafi/

Exit mobile version