Një pasqyrë e shkallës së lëndimit që ka pësuar ylli i Valencias, Mouctar Diakhaby, gjatë duelit me Real Madridit të shtunën është dhënë.
Diakhaby natyrisht ‘rrëmbeu’ faqet e para të gazetave në Spanjë në vikendin e kaluar, pas ngjarjes që la të mërzitur të gjithë opinonin sportiv atje.
Fatkeqësisht për 27-vjeçarin, ky përditësim i situatës së tij nuk përbën aspak një lajm të mirë.
Pasi Aurelien Tchouameni në mënyrë krejtësisht rastësore u rrëzua mbi këmbën e tij të djathtë, natyra serioze e lëndimit të tij shumë shpejt u bë e ditur.
Lojtarët e Valencias dhe Real Madridit u panë me duart mbi kokën e tyre duke lënë të nënkuptohet se një lëndim brutal kishte ndodhur.
Mbi këtë ka folur një doktor i njohur në Spanjë, i cili ka thënë se Diakhaby rrezikon që të mos ecë më fare, lëre më të mendohet ndonjë rikthim i mundshëm në futboll.
“Ky është një lëndim jashtëzakonisht i rrallë. Është lëndimi më i rëndë në gju që një futbollist mund ta përjetojë. Me shumë mundësi ai ka këputur katër ose pesë ligamente. Është një lëndim i tmerrshëm. Kur gjuri dislokohet, kocka është jashtë vendit. Për të dislokuar kockën, ligamentet duhet të çahen. Nuk ka ndonjë afat kohor për rikuperim për këtë lloj të lëndimit. Mund të nevojiten një ose dy operacione. Ka një shkallë të lartë të mundësisë që Diakhaby të mos luajë më kurrë futboll”, ka thënë doktori Enrique Gastaldi, ekspert në fushën e traumatologjisë./Telegrafi/