Të mbuluar pjesërisht nga bari, trupat e pajetë të mbështjellë me çarçafë të verdhë po lundrojnë nëpër liqenin Gang, si një kujtesë sesa vdekjeprurëse ishte vala e coronavirusit që stërmbushi spitalet dhe morgjet nëpër Indi.
Familjet në veri dhe lindje të Indisë kanë lëshuar trupat e pajetë të më të dashurve në liqen, e disa i kanë varrosur përgjatë bregut pasi që nuk kanë mundur të mbulojnë shpenzimet në pikun e epidemisë gjatë prillit dhe majit, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, reshjet e shpeshta të shiut kanë bërë që niveli i ujit të rritet dhe trupat e varrosura përgjatë brigjeve në Ganga të dalin mbi sipërfaqen e ujit.
Zyrtarët në Alahabad, një prej vendeve më të shenjta të hinduizmit, thonë se gjatë tre muajve të fundit afro 150 kufoma kanë pluskuar duke dalë mbi sipërfaqen e ujit.
E kur ekipi i France Press vizitoi këtë rajon, hasën në dhjetëra kufoma pjesërisht të mbuluara në ujë. Zyrtarët vlerësojnë se 600 kufoma tjera janë varrosur përgjatë brigjeve të Gangut në Alahabad në pikun e pandemisë së coronavirusit.
Por ekziston frika se numri i të vdekurve në Indi mund të jetë shumë më i madh, më i madh se 360.000 të regjistruar – në afro dy milion dhe se shirat e rrëmbyeshëm shumë shpejtë do të nxjerrin mbi sipërfaqe të ujit shumë kufoma tjera. /Telegrafi/