Telegrafi

Pasojat e biznesit me helme kimike

Pjesa dërrmuese e popullsisë dhe gati e gjithë garnitura politike në Kosovë e kanë mentalitetin e specialistit Grajms (Grimes) nga filmi i bazuar në ngjarje të vërtetë Black Haëk Doën (Humbja e Skifterit të Zi) për betejën e Mogadishit – kryeqytetit të Somalisë.

Tek ishin duke shkëmbyer zjarr me milicinë somaleze, rreshteri Sanderson e urdhëron specialistin Grajms të qëndroj larg mureve të ndërtesave. Duke synuar të mbrohet nga plumbat e kundërshtarëve, specialisti vendos të hyjë nën strehën e ndërtesës ku kati përdhes në pjesën e përparme ishte i hapur dhe e mbanin disa shtylla.

Në drejtim të tij vie një granatë (RPG). Ai ka reflekse shumë të shpejta sa që ul kokën për t’i bishtnuar granatës. Mirëpo, granata godet murin, pjesët e të cilit kthehen prapa dhe plagosin specialistin. Tani e kishte vërejtur se paralajmërimi për rrezikun nuk duhet injoruar.

Mësimin e ngjashëm nuk duket se e ka nxjerrur Qeveria e Kosovës, Shërbimi Doganor i UNMIK-ut (SHDU), Shërbimi Policor i Kosovës (SHPK) dhe disa institucione tjera, përkundër se një eskperiment me pasoja është duke u provuar për të tretën herë me radhë – ai i vajit disulfurik me substanca helmuese.

Kur po bëheshin gati tre muaj që problemi i mauneve me vaj disulfurik ende nuk ishte zgjidhur, në Kosovë përsëri futen sasi tjera nga po i njëjti vend i origjinës – Irani. Posa u dha lajmi për hyrjet e reja, disa qytetarë po habiteshin duke pyetur: Përsëri helme! Dhe jo vetëm kaq.

Gjatë natës në mes të 23 dhe 24 gushtit SHPk-ja konfiskoj mbi 11 mijë litra vaj disulfurik në trekufirin Kosovë-Maqedoni-Serbi. Importuesit u identifikuan si katër persona shtetas të IRJ të Maqedonisë.

Për çudinë e të gjithë neve, vendi i origjinës së vajit disulfurik përsëri ishte Irani. Është me rëndësi ta rikujtojmë edhe një herë përvojën e hidhur me sasinë e parë prej mbi 50 tonë të vajit disulfurik që ishte konfiskuar në kufirin me Shqipërinë.

E tërë sasia e atij vaji helmues ishte vendosur në Mitrovicë. SHPK-ja dhe institucionet tjera qeveritare fillimisht e kishin nënvlerësuar rrezikun e helmimit që po shkaktonte në shëndetin e banorëve, dëmtimin e florës dhe faunës, perimet, ngordhjen e shpezëve dhe insekteve.

Pasojat e erës së rëndë të vajit disulfurik që shfaqeshin tek banorët manifestoheshin si vështirësim i frymëmarrjes, djegie të syve, dhembje koke, dhembje barku, etj. Protestave të qytetarëve për largimin e helmeve SHPK-ja iu përgjigj me dajak, me të cilin veprim SHPK-ja atë ditë u tregua si Shërbimi i Papërgjegjshëm i Kosovës.

Edhe sikur maunet të ishin të mbushura me ari që vlen shumë por dëmton shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin, SHPK-ja është dashur të merr vet masa të menjëhershme për largimin e tij në zona jashtë vendbanimeve. Së paku kështu ndodhë në shumicën e vendeve të botës kur rrezikohet shëndeti i popullatës; ose largohet objekti që shkakton rrezik, ose evakuohet popullata derisa policia ta mënjanoj rrezikun. SHPK-ja jo vetëm që nuk e bëri asnjërën, por arrestoj disa protestues dhe ndaj një numri të vogël të tyre përdori edhe dhunën.

Amerikë, ku e ke listën e "Ali kimistëve" të Kosovës?!

Përdorimi i helmeve kimike është i ndaluar me konventa ndërkombëtare edhe në rastet e luftës kundër armikut, e mos të flasim në kohë paqeje kundër popullsisë vendore. Ende nuk është ndërmarrë asgjë kundër përgjegjësve rreth tregtisë me vaj helmues që është duke ndodhur.

Kështu për shembull në opinion kanë qarkulluar thashethemet se ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Jagxhillar, mund të jetë i implikuar në tregtinë e këtij vaji helmues pasi firma importuese e këtyre mauneve është nga fshati Mamushë i Prizrenit. Fshati është i banuar me shumicë të minoritetit turk ose nacionalitetit të cilit i përket edhe z. Jagxhillar.

Nëse vërtetohen thashethemet se pronari i kësaj firme importuese të helmit është anëtari i partisë së z. Jagxhillar dhe i dyshuar si njëri prej donatorëve të saj, atëherë ndaj ministrit duhet të fillojnë hetimet ku, në mes tjerash, duhet të kërkohet sqarimi pse maunet u vendosen në Mitrovicën jugore e jo në atë veriore ose Mamushë.

Hetimet e tilla janë më se të domosdoshme që opinioni mos të mendoj dhe t’ia vë ndonjë nofkë kimike ministrit, p.sh. z. Jagxhillar Iperiti (ang. Mr. Yagcillar the Mustard Gas).

Qeveria solli dy vendime për suspendimin e përkohshëm (pse jo të përhershëm ose shkarkimin) të dy zyrtarëve – Sekretarin e Përhershëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Drejtorin e Doganave. Vendimin e ekzekutoj Ministria e Ekonomisë dhe Financave.

Për Drejtorin e Doganave reagoj menjëherë UNMIK-u duke i treguar Qeverisë se vendimi i tillë nuk ishte në kompetencë të saj. Ishte një rast i mirë që na tregoj se sa pushtet real ka Qeveria pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuçi të Kushtetutës që parasheh transferim të kompetencave nga UNMIK-u tek Qeveria. Është për t’u kritikuar zmbrapsja e Qeverisë nga vendimi i saj pasi ajo në këtë rast e kishte përkrahjen jo vetëm të protestuesve por edhe të qytetarëve.

Qeveria së pari është dashur ta suspendoj ministrin Jagxhillar deri në momentin kur hetimet rreth implikimit të mundshëm të tij të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të jenë kryer në tërësi. Më sa duket Qeveria nuk ka pasur guximin ta ndërmarrë një hap të tillë nga frika e disa "miqve ndërkombëtar" që propagandojnë shoqërinë shumë etnike të Kosovës nëpërmjet diskriminimit të popullsisë shumicë thuajse në çdo aspekt, dhe kur kjo nuk u duket e mjaftueshme, duhet bërë edhe helmime. Koncepti i tillë i shoqërisë shumë etnike është fort i mbrapshtë, i patolerueshëm dhe "miqve ndërkombëtar" duhet dhënë përgjigje shumë të prerë në këtë drejtim.

Pas pasojave në shëndetin e banorëve dhe mjedisit të Mitrovicës, Ministria e Mjedisit shpalli tenderin dhe bëri përzgjedhjen një kompanie për asgjësimin e vajit disulfurik. Biznes me helm, a po jo? Filloj djegia ose asgjësimi i helmit dhe krahas tij edhe protestat e qytetarëve të Mitrovicës. Protestat ndikuan në vendimin për ndaljen e djegies. Autoritetet që urdhëruan djegien duket se nuk kishin dëgjuar për ligjin mbi ruajtjen e energjisë sipas të cilit energjia as nuk shtohet e as nuk humbet por kalon nga një formë në formën tjetër. Prandaj, djegia nuk ishte zgjidhje pasi vaji disulfurik në gjendje të lëngët tani po shndërrohej në gjendje të gaztë dhe po i kontribuonte ndotjes së ambientit.

Pas hyrjes së sasisë së tretë me vaj disulfurik, u kumtua lajmi se sasia e parë ose ajo të cilës iu ndal djegia tani do të dërgohet në Hjuston të SHBA-ve brenda 30-35 ditëve nga dita e publikimit të lajmit. Ky është një lajm i mirë për ta hequr qafe një pjesë të helmit. Qyteti i Hjustonit mund të cilësohet si kryeqyteti i botës për energji, kryesisht të naftës dhe gazit natyror. Kuptohet se ai nuk ka nevojë për vajin disulfurik që është duke u importuar në Kosovë por lë përshtypjen se SHBA-të përmes ambasadës së saj në Prishtinë, kanë vendosur t’ia heqin një pjesë të turpit pushtetit të Qeverisë së Kosovës. A ka "aftësi" më të madhe për një qeveri e cila me muaj të tërë jo vetëm që nuk mund ta zgjidhë problemin e disa mauneve me vaj helmues por krijon probleme shtesë me to? Si do të reagonte dhe sa do të ishte efikase Qeveria e "jonë" në rast lufte apo rrezikut me armë kimike dhe bërthamore?

Çka duket shumë paradoksale është se vaji disulfurik arrin prej Iranit në SHBA përmes Kosovës. SHBA-të për momentin e njohin Iranin si armikun e tyre më të madh. Në anën tjetër, Kosova thuhet se është vend pro-amerikan, bile më së shumti në botë. Në këtë kontekst, nga tregtia me vaj disulfurik Iran-Kosovë-SHBA është duke pësuar vetëm Kosova. Irani është vend jo arab që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe as që e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë në një të ardhme të afërt. Sidoqoftë, ai paraqitet partner tregtar i Kosovës më i rëndësishëm se SHBA duke na furnizuar me helme! Duke u nisur nga kjo logjikë, SHBA-të duhet ta luftojnë Iranin në Kosovë, e kjo do të thotë se duhet t’ia ngrehin veshin Qeverisë "sonë".

Është skandaloz qëndrimi i Qeverisë për kinse shtete me kualitete të dyshimta, duke aluduar në vendet arabe. Janë ato shtete për të cilat Kosova ka shumë nevojë. Ato nuk kanë nevojë për Kosovën, e aq më pak për politikanët e saj servilë, ofendues dhe të papërgjegjshëm. SHBA-të si qeveri dhe shumë ekspertë amerikanë me të drejtë ia kanë tërhequr vërejtjen Qeverisë për ngecjen e njohjes së pavarësisë nga vendet arabe, ku përfshihen disa aleatë të fuqishëm të SHBA-va siç janë Arabia Saudite, Kuvajti, dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Këto janë vende të zhvilluara dhe shumë të pasura me naftë. SHBA-të me ekonominë më të madhe në botë kanë nevojë për këto shtete, e Kosova (në fakt politikanët e saj të papërgjegjshëm) si vendi më i varfër i Evropës kinse nuk paska nevojë. Pse Kosova importon helme nga armiku i SHBA-ve – Irani dhe nuk importon naftë cilësore nga vendet arabe aleatë të SHBA-ve por i quan ato shtete me kualitete të dyshimta, është një papërgjegjësi sui generis. Sigurisht, për udhëheqësinë e politikës dhe ekonomisë së Kosovës që nuk e ka dhe nuk dëshiron ta ketë mendjen e vet, është shumë lehtë të konstatohet se çka mundet dhe nuk mundet të bëjë, ku do të përfundoj, dhe çfarë pasojash do të na sjell si shtet, komb, por edhe si individë.

Kësi mentaliteti për politikanët që nuk dinë nga kanë ardhur, ç’bëjnë dhe ku duan të shkojnë, është thuajse e pamundur të gjendet në ndonjë shtet normal të botës. (Pu)shteti "ynë" ende nuk ka nxjerrë mësime nga ky "monkey-business" me vaj disulfurik me pasoja për qytetarët dhe ambientin. Një përgjigje në formë të mësimit mund të nxjerrët nga skenari diku në fund i filmit të lartpërmendur. Specialisti Hut (Hoot) pas betejës së Mogadishit me pasoja të mëdha, i drejtohet rreshterit Eversman që kishte udhëhequr skuadronin e katërt (Chalk Four) në betejë. "Kur unë të kthehem në shtëpi, njerëzit do të më pyesin: Hej Hut, pse e keni bërë këtë [tragjedi dhe dështim]. Unë nuk do t’iu them as një fjalë të vetme. E din pse? Sepse ata nuk do ta kuptojnë pse ne e bëjmë këtë. Ata nuk do ta kuptojnë se e tëra ka të bëjë me njerëzit pranë jush [ata që iu udhëheqin]. Kjo është e tëra". Rreshteri pastaj tenton t’i ndihmoj specialistit të riarmatoset për t’u kthyer në fushëbetejë. Spacilisti i drejtohet: "Hej, as mos mendo për këtë, e kupton? Unë jam më i mirë [sigurt] pa ty". Nga kjo lind pyetja nëse qytetarët e Mitrovicës janë më të sigurt pa udhëheqësinë "tonë", si p.sh. me rastin e problemit të vajit helmues?

Isa Mulaj
Hulumtues i lartë dhe koordinator për Kosovë i Institutit për Studime dhe Analiza të Politikave Ekonomike