Qytetarët e Luginës së Preshevës, nga tash e tutje do të ketë platformën digjitale mbi çështjet e pasivizimit të vendbanimit dhe vendqëndrimit në Serbi.
Në këtë platformë online, ata/o mund të informohen, të raportojnë, të ankohen dhe të sigurojnë ndihmë juridike falas, mbi çështjet e pasivizimit.
Për këtë nismë, ka folur kryetari i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginë, Belgzim Kamberi.
Kamberi në një prononcim për Telegrafin ka treguar se qëllimi i hapjes së kësaj platforme është që të sistematizohet dhe sensibilizohet puna rreth çështjes së pasivizimit në Serbi.
“Nëpërmjet krijimit të kësaj hapësire digjitale që i kushtohet enkas çështjes së pasivizimit, qytetarët do të munden tashmë të informohen, të raportojnë, të ankohen dhe të sigurojnë ndihmë juridike falas, mbi çështjet e pasivizimit. Këtë e kemi konsideruar të rëndësishme duke pasur parasysh se në njërën anë kishte shumë paqartësi në mesin e qytetarëve se çfarë nënkupton pasivizimi, sikurse në procedurë paraprake, ashtu edhe pas vendimit të pasivizimit”, ka thënë Kamberi.
Ai ka shtuar se kjo platformë është edhe në shërbim të ndërtimit të një baze të të dhënave që mundëson evidentimin e qytetarëve të pasivizuar, por edhe është mundësi për ta qartësuar procedurën që është ndjekur nga organet përgjegjëse ligjzbatuese në rastin e pasivizimit të vendbanimeve dhe vendqëndrimit.
Kamberi ka theksuar se do të përpiqen që ta bëjmë platformën sa më të qasshme për qytetarët.
“Në këtë drejtim do ta zhvillojmë edhe një fushatë sensibilizuese për t’i informuar qytetarët për krijimin e platformës dhe mundësitë që ajo krijon rreth çështjes së pasivizimit. Më vonë kjo platformë do t’i bartet tërësisht Këshillit Kombëtar Shqiptar që e ka mbështetur dhe mundësuar krijimin e kësaj platforme”, u shpreh ai.
I pyetur se cilët do të jenë hapat tjerë që do të ndërmarrin pas hapjes së kësaj platforme, Kamberi shtoi se shumë shpejt do të publikojnë një hulumtim për çështjen e pasivizimit.
“Përpos krijimit të platformës digjitale dhe mundësive që krijon, shumë shpejtë do të publikojmë edhe një hulumtim të hollësishëm lidhur me çështjen e pasivizimit. Përpos qytetarëve dhe opinionit publik, ky hulumtim do të mund t’iu shërbejë edhe institucioneve për të kuptuar më mirë sesi po zbatohet në praktikë ligji i vendbanimit dhe vendqëndrimit në Serbi, sidomos në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka deklaruar Kamberi për Telegrafin.
Rreth 8 mijë banorëve shqiptarë në Luginën e Preshevës u janë pasivizuar adresat, një masë e shtetit serb që po u pamundëson shqiptarëve pajisjen me dokumente pas skadimit të tyre.
Platformën mund ta gjeni duke klikuar KËTU. /Telegrafi/