Site icon Telegrafi

Pasivizimi i adresave në Medvegjë, shqiptarët e shpërngulur mbetën të huaj si në vendlindje edhe në Kosovë

Për më shumë se pesë vite, Serbia ka filluar që pa zhurmë të bëj çregjistrimin e shqiptarëve në Komunën e Medvegjës, njërën nga tri komunat shqiptare që janë pjesë e shtetit serb, ku po bëhet pasivizimi i adresave, në vazhdën e trajtimit diskriminues ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kështu ka thënë për Telegrafin, anëtari i Këshillit Komunal të Medvegjës, Muharrem Salihu duke shtuar se “të qenurit pjesë e grupit të shqiptarëve pa dokumente, ka ndihmuar çregjistrimin e tyre në Serbi dhe ka penguar kthimin e tyre në vatrat e të parëve në Medvegjë, Bujanovc apo Preshevë”.

Salihu sqaron se shqiptarët e Serbisë të shpërngulur në Kosovë, nuk u pajisën asnjëherë me dokumente nga shteti serb, për pasojë ata nuk mund të pajiseshin me dokumente në Kosovë, gjë e cila preku edhe të lindurit e këtyre familjeve në Kosovë.

Ndaj shqiptarët e Medvegjës dhe Luginës, që janë banorë të përkohshëm në Kosovë, mbetën të huaj si në vendlindje edhe në Kosovë.

Një gjë e tillë, sipas Salihut nuk është e rastësishme, por është një përllogaritje e menduar mirë, për të larguar shqiptarët nga Medvegja fillimisht, e pastaj edhe nga Bujanoci e Presheva.

“Trajtimi i shqiptarëve të Serbisë si emigrant, nuk është një trajtesë e rastësishme, apo një “gabim” konceptual njerëzor. Përkundrazi, është një përllogaritje e mirëmenduar, si pjesë e një plani afatgjatë për t’i larguar ata përgjithmonë nga Medvegja dhe më pas nga Bujanoci e Presheva. Të qënurit emigrant, i detyron shqiptarët që të aplikojnë për leje të përkohshme apo të përhershme qëndrimi dhe në mungesë të dokumentacionit nga vendi i origjinës, ato nuk mund të pajisen me dokumenta në vendin pritës”, tha Salihu për Telegrafin.

Lugina e Preshevës, Foto: Krenar Halimi

Por, si erdhi puna deri këtu dhe ku e ka zanafillën ky problem?

Anëtari i Këshillit Komunal të Medvegjës, Muharrem Salihu u kthye 21 vite më parë, për të sqaruar fillimin e problemit me të cilin tash e pesë vite po përballen shumë shqiptarë të Medvegjës.

Shpërngulja e shqiptarëve nga Medvegja, Bujanoci e Presheva për në Kosovë dhe shpërngulja e serbëve të Kosovës për në Serbi u bë thuajse në mënyrë paralele gjatë dhe pas luftës së vitit 1999 në Kosovë, por ata nuk u trajtuan asnjëherë njësoj.

“Shqiptarët e Medvegjës dhe të Luginës së Preshevës që përtej vullnetit të tyre u detyruan të zhvendosen në Kosovë pas vitit 1999, nuk u regjistruan kurrë si refugjatë. Ata jo vetëm nuk u trajtuan si të zhvendosur të përkohshëm, por as nuk u regjistruan në mënyrë sistematike nga ndonjë institucion shqiptar apo ndërkombëtar. Shqiptarët e Serbisë thjeshtë u trajtuan si emigrantë vullnetarë, ndërsa nga ana tjetër serbët e Kosovës që u zhvendosën në Serbi në të njëjtën periudhë, u kategorizuan dhe u regjistruan si refugjatë”, thotë Salihu.

Shqiptarët si emigrant përballë serbëve si refugjatë

Ky mostrajtim i barabartë, ndaj këtyre dy grupeve shoqërore, është bërë në dëm të shqiptarëve, të cilëve siç tha Salihu u janë shkelur të drejtat themelore.

“Sipas UNCHR-së, Agjensia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët, “një refugjat është dikush, i cili është detyruar të lërë vendin e tij për shkak të persekutimit, luftës ose dhunës. … lufta dhe dhuna etnike, fisnore dhe fetare janë shkaqet kryesore të refugjatëve që largohen nga vendet e tyre”. Ndërsa sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, “një emigrant është dikush i cili ka ndërruar vendin e tij të rezidencës aktuale, pavarësisht arsyes për emigrim ose statusit legal”. Mjafton leximi i këtyre rreshtave për të kuptuar diskriminimin që ju është bërë shqiptarëve të Serbisë, shkeljen e të drejtave të tyre themelore dhe trajtimin e tyre ndryshe në krahasim me serbët e Kosovës”, tha Salihu për Telegrafin.

Lugina e Preshevës, Foto: Krenar Halimi

Zhvendosja e serbëve të Kosovës në Serbi dhe zhvendosja e shqiptarëve nga Serbia në Kosovë u trajtua në dy statuse të ndryshme sipas Salihut.

“Qoftë në nivel kombëtar apo ndërkombëtar, të dy këto zhvendosje u tematizuan dhe u trajtuan në mënyra krejtësisht të ndryshme dhe me dy statuse ndryshe. Si rrjedhojë, janë dëgjuar shpesh përfaqësuesit serbë të shprehen: “shqiptarët e Medvegjës kanë shkuar në Kosovë”, a thua se ata vajtën për dëshirë. Por, as nuk janë dëgjuar dhe as nuk pritet të dëgjohen, që të flasin për shkaqet që i detyruan qytetarët shqiptarë të Medvegjës dhe komunave të tjera shqiptare në Serbi që të shkojnë në Kosovë”, shprehet Salihu.

Salihu tha se nëse do të ishin trajtuar si refugjatë shqiptarët e Serbisë që u zhvendosën për shkak të luftës në Kosovë, atyre do t’ju garantohej mbrojtje edhe nga organizatat ndërkombëtare që trajtojnë çështjen e refugjatëve, do të kishin të drejtën e azilit, të drejtën e trajtimit si çdo i huaj që është rezident ligjor, të drejtën e ushtrimit të lirive njerëzore si mendimi, lëvizja, të drejtën e pajisjes me dokumente udhëtimi për të levizur jashtë shtetit e shumë të tjera.

“Në këtë mënyrë do të ishin të mbrojtur nga ligji ndërkombëtar dhe nuk do të humbisnin identitetin e tyre si shtetas në vendin e origjinës”, u shpreh ai.

Shqiptarët e Medvegjës të lënë në mëshirën e fatit

Të lënë në mëshirën e fatit, pa përkrahje, Salihu thotë se ekzistenca e shqiptarëve të kësaj zone është më shumë se kurrë në rrezik.

Situata e shqiptarëve të Serbisë dhe e serbëve të Kosovës është trajtuar qëllimisht me dy standarde, në dëm të shqiptarëve, duke i lënë këta të fundit, në mëshirë të fatit, pa përkrahje dhe pa mbështetje. Tashmë, kur qenia ekzistenciale e medvegjasve dhe shqiptarëve të Bujanocit e Medvegjës është vënë më shumë se kurrë në rrezik, lind nevoja imediate që shqiptarët autoktonë nga tre komunat shqiptare në Serbi që jetojnë në Kosovë, të mbrohen nga e drejta ndërkombëtare dhe të pajisen me dokumente identiteti, që të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtat e tyre njerëzore”, tha Salihu.

Në ndërkohë, në Zveçan, komunë kjo e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, në një sipërfaqe prej 15 hektarësh, Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe janë duke e përfunduar ndërtimin e 300 njësive banesore në kuadër të vendbanimit “Lugina e Diellit”. Këto njësi banesore janë të destinuara për personat e zhvendosur nga Kosova, të komunitetit serb. Lidhur me ndërtimin e vendbanimit, që kap vlerën e rreth 14 milionë eurove, pak kush pranon që të flasë ose di të flasë.

Lexo po ashtu "Lugina e Diellit" e ndërtuar pa leje, së shpejti e banueshme

Prishtina zyrtare thotë që nuk ka prova që ky vendbanim ka marrë lejet e nevojshme nga qeveria lokale.

Çështja e kthimit të personave të zhvendosur pas luftës në Kosovë në vitin 1999, është temë e bisedimeve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, për të cilën kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e 7 shtatorit, janë pajtuar, por nuk i kanë bërë të ditura detajet.

Në bazë të të dhënave të UNHCR-së, të vitit 2016, besohet që të zhvendosur jashtë Kosovës janë rreth 107 mijë njerëz, prej të cilëve 88 mijë në Serbi, më shumë se 1.400 në Mal të Zi dhe mbi 600 persona në Maqedoninë e Veriut. /Telegrafi/

Exit mobile version