Ish-president i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, u ndalua nga policia mëngjesin e kësaj të mërkurë në aeroportin Barajas në Madrid, sapo u kthye në Spanjë nga Republika Dominikane.
Ai ishte jashtë vendit në momentet kur u kryen kontrollet disa ditë më parë në federatën spanjolle dhe në shtëpinë e tij.
Kthimi i tij ishte planifikuar të shtunën, por ai vendosi të kthehej më shpejt në Spanjë.
Dhjetëra gazetarë po e prisnin Rubiales në daljet e aeroportit, por ish-drejtuesi i lartë i Federatës u shoqërua teksa dilte nga avioni nga Njësia Qendrore Operative e Guardia Civil.
Ndonëse kishte spekulime për arrestimin e tij, qëllimi i forcave të rendit ishte vetëm ta njoftonin për akuzën që është ngritur ndaj tij, pra ta informonin për gjendjen e tij dhe të mos merrnin asnjë deklaratë, ndaj ai është lënë i lirë. Ai do të dëshmojë kur gjyqtari ta ftojë në seancë.
Javën e kaluar, autoritetet spanjolle lëshuan një urdhër arresti ndërkombëtar për Luis Rubiales, në lidhje me kontratat e parregullta të nënshkruara gjatë pesë viteve të fundit, duke përfshirë transferimin e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite.
Rubiales po hetohet për krime të dyshuara për korrupsion në biznes, administrim të paligjshëm dhe pastrim parash.
Ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) ndodhej në Republikën Domenikane, vend që nuk ka marrëveshje ekstradimi me Spanjën. Njësia Qendrore Operative e Guardia Civil kontrolloi selinë e federatës dhe gjithashtu shtëpinë e Rubiales.
Një ditë para udhëtimit, Rubiales kishte dhënë një intervistë për La Sexta në të cilën fliste për paratë. “Paratë në llogarinë time janë rezultat i punës dhe kursimeve të mia”, deklaroi ai.
🗣️ Luis Rubiales : "Des agents de la Guardia Civil et des policiers locaux sont arrivés chez moi et ont embarqué les téléphones."
👉 L'ancien président de la RFEF s'exprimera dans une interview à 22h30 sur @laSextaTVpic.twitter.com/e8OwLiZ11Q
— LigActu 🇪🇸 (@LigActu) April 3, 2024
Rubiales u shkarkua nga pozicioni që e mbajti midis majit 2018 dhe shtatorit 2023, pas polemikave të shkaktuara nga puthja që i dha Jenni Hermosos, pas triumfit në Kupën e Botës për femra në gusht 2023./Telegrafi/