Telegrafi

Pasardhësit e Stalinit dhe KGB-së shfaqin pretendime territoriale ndaj Kazakistanit

Në Kazakistan ka pasur shumë reagime shqetësuese për rritjen e pretendimeve territoriale ruse ndaj Kazakistanit, duke i dërguar edhe notë proteste Kremlinit.

Deputetë të Dumës ruse, pjesë e partisë së Vladimir Putinit, “Rusia e Bashkuar” kanë dalë me qëndrime kundër ekzistencës së Kazakistanit. Ata janë shprehur se, historikisht Kazakistani nuk ka ekzistuar dhe se Bashkimi Sovjetik në territoret e Rusisë e ka krijuar Republikën e Kazakistanit.

“Pas shpërbërjes së BRSS, Kazakistani është bërë shtet i pavarur, duke i marrë edhe territoret ruse, andaj ato territore duhet ti kthehen Rusisë”, kanë thënë ata.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Kazakistanit, u shpreh e habitur nga deklaratat e fundit të deputetëve të Dumës, ku haptas shfaqen pretendime territoriale ndaj territorit të Kazakistanit. Në lidhje me këto deklarata, Ministria e Punëve të Jashtme i dërgoi një notë proteste ambasadorit rus në Kazakistan.

Deklaratat e deputetëve rusë nuk janë të rastësishme. Prononcimi i kreut të Komitetit për Edukim i Dumës ruse, Vyacheslav Nikonov, i cili gjatë një emisioni në një TV1 ka deklaruar se, Kazakistani thjesht nuk ekzistonte. Kazakistani verior ishte i pabanuar dhe në fakt territori i Kazakistanit është një dhuratë e madhe e Rusisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Nikonov është nipi i Vyacheslav Molotovit, i cili ishte politikan i afërt i diktatorit Stalin. Gjatë ish-Bashkimit Sovjetik, Nikonov ishte asistent i kreut të KGB-së ruse.

Deklarata e Nikonovit është mbështetur edhe nga lideri i partisë Liberal Demokratike të Rusisë, Vladimir Zhirinovski, i njohur për qëndrime radikale.

Zhirinovksi u shpreh se, mbështet deklaratën e Niknov dhe se Kazakistani ishte krijuar artificialisht nga BRSS. /Telegrafi/