Pasardhësi i familjes legjendare Jashari, Igball Jashari është prezantuar dje (e martë) si lojtar i ekipit të parë të Prishtinës dhe siç e do zakoni ai ka kënduar shkurtimisht para bashkëlojtarëve dhe stafit.
Jashari është një reprezentues i rregullt i moshave të Përfaqësueses së Kosovës dhe në verë u transferua të ekipi i juniorëve të Prishtinës.
Megjithatë, pas vetëm disa muajve punë, Jashari ka bindur drejtuesit dhe stafin se meriton ekipin e parë.
Kështu, ata kanë vendosur ta ngritin Igballin në ekipin e parë dhe tashmë ai i është bashkuar në stërvitje dhe mund të jetë pjesë edhe e ndonjë ndeshje.
Prezantimi i tij para ekipit dhe stafit ka ardhur të martën mbrëma dhe siç e do zakoni ai ka kënduar para tyre.
Kënga e Shkurte Fejzës, “Mora Fjalë”, e cila i kushtohet Komandantit legjendar, Adem Jashari ishte kënga të cilën e këndoi sulmuesi 17-vjeçar.
Atmosfera ishte e mirë dhe të gjithë e ndihmuan djaloshin e ri të këndonte dhe të ambientohej sa më mirë.
Ndryshe, e gjithë kjo erdhi pasi Jashari është tubuar për herë të parë në një ndeshje të ekipit të parë, pikërisht në takimin e sotëm të cilin Prishtina e zhvillon ndaj Trepçës ’89 në “Fadil Vokrri” nga ora 18:00. /Telegrafi/