Telegrafi

Pasagjeri që hapi derën e aeroplanit që po ateronte në Korenë e Jugut tha se e bëri këtë “pasi nuk po ndihej rehat”

Një pasagjer në një fluturim të Asiana Airlines i cili hapi derën e urgjencës së aeroplanit disa minuta para zbarkimit në Daegu, Kore të Jugut, i tha policisë se e bëri këtë pasi “nuk po ndihej rehat”.

Burri, rreth të tridhjetave, u arrestua pas aterimit të aeroplanit, transmeton Telegrafi.

Ai i tha policisë se hapi derën pasi “dëshironte të zbriste shpejt nga avioni”.

Siç raportohet, ai gjithashtu i tha policisë se ishte i stresuar pasi ishte pushuar së fundmi nga puna.

Burri e kishte hapur derën kur aeroplani ishte 213 metra në lartësi, duke shkaktuar panik në bord.

Nëntë pasagjerë u dërguan në spital pas problemeve me frymëmarrje. Të gjithë u liruan pas rreth dy orësh.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregonin momentet para aterimit, ku dera e aeroplanit ishte e hapur derisa era frynte tek pasagjerët e ulur. /Telegrafi/