Telegrafi

Pas zjarreve, goditet edhe nga shiu i rrëmbyeshëm, raportohet për viktima – pamjet tregojnë situatën e rëndë në disa pjesë të Greqisë

Shirat e rrëmbyeshëm kanë përmbytur shtëpitë dhe rrugët në Greqi dhe një burrë ka vdekur pasi një mur u shemb nga moti i keq, tha brigada e zjarrfikësve të martën.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, stuhia Daniel ka goditur Greqinë perëndimore dhe qendrore që nga e hëna, duke nxitur qindra thirrje në shërbimet e urgjencës për të larguar ujin vetëm disa ditë pasi një zjarr vdekjeprurës që ka zgjatur për më shumë se dy javë u vu nën kontroll në veri të vendit.

“Një burrë vdiq pasi një mur u shemb pranë qytetit të Volos, ndoshta për shkak të motit të keq”, tha një zyrtar i brigadës së zjarrfikësve për Reuters, pa dhënë më shumë detaje.

Sipas Agjencisë së Lajmeve të Athinës, muri u shemb kur burri, një blegtor, po përpiqej të arrinte kafshët e tij.

Pamjet nga transmetuesi shtetëror ERT treguan makina në Volos, një qytet port në Gjirin Pagasetik, të shpërndara nga shiu i rrëmbyeshëm në brigjet me baltë.

Ndërkohë thuhet se një burrë është zhdukur në Volos pasi makina e tij u përfshi nga stuhia, tha zëdhënësi i zjarrfikësve, Ioannis Artopoios për televizionin Skai.

“Djali i tij doli (nga makina), por babai u mor me vete dhe po zhvillohet një operacion kërkimi tani”, tha Artopoios.

Kështu, autoritetet kanë kufizuar qarkullimin në zonën e gjerë të Volos.

Kujtojmë se përmbytjet e mëdha në Greqi në vitin 2017 vranë 25 persona dhe lanë qindra të pastrehë. /Telegrafi/