Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thirrur një seancë urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Kjo, siç raportojnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, është bërë pasi presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik është shpallur fajtor për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësueses së Lartë të BeH.
Sipas mediave serbe, seanca është caktuar për në ora 17:00 në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm me propozim të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili do ta drejtojë atë.
Edhe pse temat e Këshillit nuk përmenden në deklaratën e seancës, mediat pranë qeverisë, të cilat raportojnë këtë lajm, e vendosin vendimin për Dodikun në këtë kontekst.
Kujtojmë se Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës sot ka shpallur dënimin e shkallës së parë për presidentin e entitetit të Republikës Serbe (RS), Milorad Dodik, duke e dënuar atë me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të detyrës zyrtare dhe politike.
Udhëheqësi i serbëve iu drejtua turmës së mbledhur në një tubim mbështetjeje në Banjallukë.
Ai tha se kishte marrë dy telefonata, e para nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe e dyta nga kyrministri hungarez, Viktor Orban.
“Le të vijë Vuçiq nesër në Banjallukë për të marrë vesh se çfarë do bëjmë dhe si do e bëjmë. Nga sot nuk ka më Bosnje dhe Hercegovinë, të cilën e keni imagjinuar. Kuvendi do të marrë vendim që do ta refuzojë dënimin…”, ka thënë ndër tjeras Dodik. /Telegrafi/