Bashkimi ka shënuar fitore në ndeshjen e parë të “Play-Off” të Ligës Ballkanike duke bërë një hap të madh drejt “Final Four”.
Prizrenasit kanë triumfuar para shikuesve të vetë në palestrën sportive “Sezai Surroi” kundër Academic Bultex me rezultat 94-81.
Pas takimit ka folur trajneri i Bashkimit, Dragan Radovic, i cili është shprehur i kënaqur me fitoren e skuadrës që drejton.
“Ne kemi luajtur një lojë të mirë, kemi pasur energji të madhe deri në fillim të periudhës së katërt. Mund të jemi të lumtur, por ka edhe 40 minuta të tjera që të zhvillohen në Plovdiv”, tha Radovic, shkruan ueb-faqja e Ligës Ballkanike.
Edhe basketbollisti i prizrenasve, amerikani Aaron Moss pohoi se “kemi luajtur një ndeshje të mirë si ekip dhe jam i lumtur me atë që kemi arritur”.
Theksojmë se Eric Stutz ishte basketbollisti më efikas te skuadra vendase me njëzet pikë ndërsa te mysafirët u veçua Vasil Bachev me 19 sosh.
Theksojmë se ndeshja e dytë mes këtyre dyja skuadrave do të zhvillohet më 4 prill në Bullgari. /Telegrafi/