Liderët e DS-së, Partisë Popullore, SSP-së dhe disa partive të tjera serbe njoftuan sot se kishin rënë dakord që të bashkuar të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi dhe të ballafaqohen me pushtetin e presidentit, Aleksandar Vuçiq.
Liderët partiak në një konferencë për shtyp thanë se kishin krijuar një aleancë për një Serbi të drejtë dhe stabile, të cilën janë të bindur se do ta zgjerojnë, raporton nova.rs.
Zoran Lutovac, kryetari i DS-it tha se ata po shkonin në një luftë frontale kundër autoriteteve dhe se ata vendosën të bëjnë një aleancë të gjerë, jo një kolonë, transmeton Telegrafi.
“Kolonat janë ideologjiko-programatike gjersa aleanca është shumë më e gjerë se kaq, duhet të mbledhë një rreth sa më të gjerë të njerëzve, të cilët kanë të njëjtin qëllim – krijimin e një Serbie normale”, tha Lutovac.
Ata mendojnë, thotë ai, se është një mënyrë e mirë për të tërhequr ata që janë të pakënaqur dhe ata që kanë abstenuar. “Aleanca e gjerë nuk e zbeh tehun e luftës kundër regjimit, përkundrazi”, thotë presidenti i DS-së.
Kryetari i Partisë Popullore, Vuk Jeremiq, thotë se do të punojnë bashkë “që Serbia të mos duket si sot pas 3 prillit”.
Ai thotë se “në aleancën që kanë krijuar ka dallime politike, por se qëllimi i tyre i përbashkët është diçka tjetër – një sistem normal dhe se në një hapësirë normale dhe në një sistem të tillë, dallimet politike vijnë përmes institucioneve, përmes mediave të lira dhe debatit publik”.
Ndryshe, zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen më 3 prill të vitit të ardhshëm gjersa në zgjedhjet e fundit partitë kryesore opozitare i kishin bojkotuar. /Telegrafi/