Hapësirat publike në Suharekë që ishin ndotur me mbeturina, pas reagimit publik të kryetarit Bali Muharremaj janë pastruar.
Pas veprimeve të ndërmarra për pastrimin e zonës së ndotur, Muharremaj ka vlerësuar se pamja pa mbeturina është më e mirë.
“Ne mund të bëhemi qytetarë të mirë. Pamja pa mbeturina është më e mirë, sepse u pastrua nga ai që para dy ditëve i hodhi ato në ambiente publike. Me dashtë vendin do të thotë edhe mos me dëmtu ambientin”, është shprehur Muharremaj, raporton Telegrafi.
Ditë më parë, kryetari i Suharekës e kishte cilësuar si të turpshëm dhe të dënueshëm veprimin e hedhjes së mbeturinave. Rasti ishte hasur tek ura, në rrugën e cila e lidhë lagjen e Bajraktarëve me rrugën unazore në Suharekë.
Ai pat apeluar që personi përgjegjës ta pastronte zonën, duke paralajmëruar edhe masa ligjore në rast mosveprimi.
Njëherësh, Muharremaj ka ftuar qytetarët të raportojnë raste të tilla tek organet komunale, duke theksuar se bashkëpunimi qytetar është kyç për ruajtjen e mjedisit. /Telegrafi/