Site icon Telegrafi

Pas raportimeve për frikësim të votuesve dhe blerje votash në Serbi, Këshilli i Evropës dërgon një ekspert për çështjet zgjedhore në Beograd

Këshilli i Evropës (KE) në fillim të janarit do të dërgojë në Beograd një ekspert për çështjet zgjedhore, për t’u marrë me procesin zgjedhor në vend, konfirmuan nga selia e kësaj organizate në Strasburg.

Presidenti i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Marc Cools, i kërkoi zëdhënësit të Kongresit për çështjet zgjedhore, Stuart Dixon, të vizitojë Beogradin pas parregullsive serioze të vërejtura nga vëzhguesit ndërkombëtarë, gjatë zgjedhjeve lokale dhe parlamentare më 17 dhjetor 2023 dhe protestat e vazhdueshme në kryeqytetin serb, transmeton Telegrafi.

“Qëllimi kryesor i vizitës do të jetë diskutimi për përmirësimin e procesit zgjedhor dhe reformat urgjente të nevojshme për të luftuar çdo mashtrim të mundshëm”, thuhet në deklaratën e 27 dhjetorit.

Më 20 dhjetor, zëdhënësi i Kongresit për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale dhe rajonale, Stuart Dixon, shprehu shqetësim serioz për parregullsitë e raportuara nga partnerët e Kongresit në misionin e përbashkët ndërkombëtar vëzhgues, për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura në Serbi në 17 dhjetor 2023.

Ai tha në deklaratë se janë raportuar raste të frikësimit dhe presionit ndaj votuesve, duke përfshirë blerjen e votave, dhe pretendime të besueshme për migrimin e votuesve gjatë zgjedhjeve lokale për të mbështetur partinë në pushtet, veçanërisht në Beograd, përfshirjen e emrave të personave të vdekur në listat zgjedhore, si dhe abuzimi me burimet administrative në fushatat parazgjedhore.

“Këto janë pretendime shumë shqetësuese që mund të shkelin seriozisht të drejtën e qytetarëve për të votuar, dhe minojnë besimin e tyre në procesin zgjedhor demokratik në të gjitha nivelet e qeverisjes”, tha Dixon.

Ai u bëri thirrje autoriteteve serbe që të merren me të gjitha rastet e pretenduara të shkeljeve të procesit zgjedhor në nivel lokal, dhe të kryejnë një hetim të duhur dhe të zellshëm dhe të respektojnë standardet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version