Komuna e Prizrenit ka njoftuar se ka filluar procesi për renovimin e ndërtesës së Shtëpisë së Kulturës në Zhur. Aty thuhet se pas këtyre intervenimeve, kjo ndërtesë do të vihet në shërbim të komunitetit artistik dhe banorëve të këtij fshati.
“Pas më shumë se një dekadë, ka nisur procesi i renovimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur. Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Adem Morina, vizitoi sot hapësirën për t’i parë nga afër punimet që po zhvillohen me dinamikën e paraparë. Ky renovim ka për qëllim përmirësimin e kushteve për aktivitetet kulturore, duke ofruar mundësi më të mira për komunitetin dhe artistët e Zhurit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.
Ndërkaq vet drejtori Morina ka theksuar se funksionalizimi i Shtëpisë së Kulturës në Zhur ka qenë zotim i lidershipit komunal.
“Ky është një premtim i mbajtur nga kryetari Shaqir Totaj”, është shprehur ai.
Shtëpia e Kulturës në Zhur të Prizrenit ende nuk është vënë në shërbim të komunitetit, ani pse gurthemeli për këtë projekt kapital ishte vënë në vitin 2009. Përgjatë vitesh, Komuna e Prizrenit ka shpenzuar rreth një milion euro për këtë ndërtesë, që ende nuk është funksionale.
Ndërkohë pas ankesave lidhur me cilësinë e punimeve, është zhvilluar edhe një proces gjyqësor ndaj disa zyrtarëve komunalë bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, por të njëjtit gjyqësori i ka liruar nga këto akuza, raporton Telegrafi.
Në verën e vitit të shkuar kryetari Totaj përmes një vendimi ka lejuar realizimin e projektit “Renovimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur”.
“Miratohet kërkesa e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për lejimin e realizimit të projektit: “Renovimi i Shtëpisë së Kulturës në fshin Zhur”, kështu që, për këtë qëllim lejohet shpallja e tenderit për mbledhjen e ofertave përkatëse”, thuhej në vendim.
Drejtori Morina asokohe është shprehur optimist se ndërtesa do të vihet në funksion gjatë vitit 2025. /Telegrafi/