Site icon Telegrafi

Pas presionit, Izetbegoviq nuk do të takohet me Aleksandar Vuçiqin në Beograd

Kreu i SDA-së, Bakir Izetbegoviq ka hequr dorë nga një udhëtim në Beograd për t’u takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Izetbegoviq para disa ditësh ka konfirmuar se ka ndërmend të bisedojë me Vuçiqin në periudhën e ardhshme.

“Nuk do të më bjerë kurora nga koka nëse shkoj në Beograd. Kam ndërmend të flas dhe të arrij atë që thashë, që të mos ketë konflikt, që të kuptohemi më mirë, që të koordinojmë interesat tona”, kishte thënë ditë më parë Izetbegoviq.

Por kjo u pasua me një sërë kritikash nga zyrtarë vendas për deklaratën e tij. Izetbegoviq u kritikua për qëllimin e tij për të shkuar në Beograd, por edhe për një takim me Vuçiqin si “përfaqësues boshnjak”.

Kritikët thonë se takimet duhet të mbahen ekskluzivisht në nivel institucional, jo mes popujve. Prandaj, Izetbegoviq dukshëm ka ndryshuar qëndrim, raporton klix.ba.

“Me siguri nuk do të shkoj në Beograd, por jam gati të takohem me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, ka thënë sot Izetbegoviq, duke shtuar se ende nuk e di se kur dhe ku mund të bëhet ai takim. /Telegrafi/

Exit mobile version