Komuna e Prizrenit ka njoftuar se në kuadër të projektit për shenjëzimin horizontal, vertikal dhe sinjalizues ka nisur zbatimi i fazës së parë të punimeve në këtë drejtim.
Sipas komunikatës në saje të këtij projekti synohet përmirësimi i sigurisë në trafik.
“Ky projekt i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, synon përmirësimin e sigurisë rrugore për përdoruesit e rrugëve, përfshirë këmbësorët e drejtuesit e automjeteve, dhe ndihmon në shmangien e aksidenteve dhe në përmirësimin e qarkullimit në gjithë zonën tonë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit, raporton Telegrafi.
Lidhur me këtë çështje, për shumë muaj ka pasur ankesa nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik.
Madje shqetësimet në këtë drejtim janë adresuar edhe nga zyrtarët policorë gjatë mbledhjeve të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj në takimin e fundit të KKSB-së pat sqaruar se në gusht të vitit 2022 ishte lidhur kontrata me një operator ekonomik, dhe se puna nuk ka rezultuar cilësore dhe me dinamikën e kërkuar nga ky dikaster.
“Pas shumë takimeve dhe vërejtjeve, na është dashur që me datën 23.10.2023 ta ndërpresim kontratën”, ka thënë Lamaj, për të shtuar se në dhjetor të atij viti është shpallur tenderi i ri, me vlerën e parashikuar prej 1 milionë eurosh, si kontratë kornizë për 36 muaj, i cili sipas tij është zvarritur si rezultat i procedurave të prokurimit, përkatësisht ankesave në OShP, raporton Telegrafi.
Ndërkohë OShP-ja muajin e shkuar ka marrë vendim që ta hedh si të palejuar ankesën e një operatori ekonomik të datës 20 gusht 2024 lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, duke i lejuar Komunës së Prizrenit që të vazhdoj më tutje me këtë tender, nëse nuk ka ndonjë ankesë tjetër për të.
Pas këtij vendimi, Komuna e Prizrenit me 30 shtator 2024 ka publikuar njoftimin për nënshkrimin e kontratës, me grupin e operatorëve ekonomik për shenjëzimin horizontal, vertikal dhe sinjalizues në qytet dhe fshatra. /Telegrafi/