Autoritetet komunale të Prizrenit, të premten, kanë përuruar projektin e tualeteve publike të qytetit. Sipas tyre, ky projekt i realizuar në kuadër të Kontratës Sociale në bashkëpunim me USAID-in do ti shërbejë të gjitha kategorive të shoqërisë dhe turistëve të qytetit të vjetër.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka theksuar se tualetet publike kanë qenë një nevojë e kamotshme e qytetit të Prizrenit, dhe se projekti është jetësuar si rezultat i bashkëpunimit të gjithë akterëve të jetës publike, përfshirë shoqërinë civile edhe shoqatat që merren me të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
“Krejt ky bashkëpunim ka ndodhur në kuadër të projektit Kontrata Sociale, iniciuar nga USAID-i për çka jemi falënderues, edhe normal me një ujdi të përgjithshme. Ne e kemi marrë si obligim për ta realizuar këtë projekt dhe sot po i përurojmë tualetet publike, që e kanë edhe pjesën e veçantë për PAK-të, meqë me 1 mars shënohet edhe Dita e përdoruesve të karrocave”, ka thënë Totaj, raporton Telegrafi.
Sipas tij, ky është një tregues i përkushtimit të qeverisjes lokale që në bashkëpunim me shoqërinë civile i adreson çështjet që paraqesin preokupim për komunitetin.
“Do të kemi projekte edhe në të ardhmen, të cilat do të kompletojnë një infrastrukturë, e cila do të ndikon në ngritjen e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit, por edhe për vizitorët”, është shprehur Totaj.
Ndërkaq drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj ka theksuar se në këtë lokacion në të shkuarën kanë funksionuar tualetet publike që më pastaj janë mbyllur.
“Tani me iniciativën e shoqërisë civile, me USAID-in si mbështetës, Komuna e Prizrenit kanë realizuar një projekt, i cili ka qenë projekt i domosdoshëm për qytetin tonë”, ka thënë Lamaj, raporton Telegrafi.
Sipas tij, vlera e projektit ka qenë rreth 115 mijë euro.
“USAID-i ka participuar me afër 18 mijë euro, pjesën tjetër normalisht e ka mbuluar Komuna. Vlera monetare e këtij projekti ndoshta nuk është e madhe, mirëpo për nga rëndësia është një prej objekteve të rëndësishme për qytetin e Prizrenit”, ka deklaruar Lamaj.
Aktivistët e shoqërisë civile të pranishëm në këtë ceremoni kanë theksuar se kërkesa për tualete publike të qasshme edhe për PAK-të daton që nga viti 2014. /Telegrafi/