Site icon Telegrafi

Pas një ankese, ekzekutivi në Ferizaj pezullon përkohësisht tenderin e druve për shkolla

Ekzekutivi i Komunës në Ferizaj pasi ka pranuar ankesë nga një operator ekonomik, ka pezulluar përkohësisht tenderin e druve për ngrohje të shkollave. Ani pse kjo ankesë kishte shkuar nga një operator që ishte më i shtrenjtë në këtë tender, komuna e ka pezulluar përkohësisht për ta shqyrtuar atë.

Në Komunën e Ferizajt kanë thënë se komisioni vlerësues do të merrej me seriozitet dhe përpikëri për shqyrtimin e kësaj ankese.

Pezullimi është bërë për shkak të transparencës nga ana e drejtorisë së arsimit.

Kujtojmë se kjo është hera e dytë që ekzekutivi po e anulon këtë proces derisa në herën e parë asnjë operator ekonomik nuk i kishte përmbushur kriteret për ta fituar tenderin.

Sipas drejtuesve të drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, nëse vonohen procedurat e shqyrtimit të ankesës, atëherë do të ketë telashe me ngrohje të shkollave.

Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në këtë komunë, ka thënë për Telegrafin se shkollat e kësaj komune kanë lëndë djegëse edhe për një muaj, ndërkaq disa shkolla të tjera mund të kenë dru për ngrohje edhe për 6 muaj.

Llabjani, ka thënë se aktualisht nuk ka hapësirë për t’u shqetësuar, pasi që kanë pranuar shqetësime të tilla nga disa drejtues të shkollave.

 

“Ne si komunë me kohë i kemi zhvilluar procedurat për furnizim të shkollave me dru, mirëpo herën e parë është anuluar tenderi shkaku i papërgjegjësive të operatorëve ekonomik. Kurse tash pasi janë finalizuar procedurat ka ardhur një ankesë nga një operator ekonomik edhe pse ai ishte më i shtrenjtë se operatori fitues”, ka thënë Llabjani.

Ai shpjegon se gjendja mund të përkeqësohej nëse shqyrtimi i ankesës mund të zgjatë më shumë se një muaj.

“Aktualisht të gjitha shkollat kanë dru për ngrohje. Shtatë shkolla kanë nevojë më shumë, kurse kemi shkolla që ndoshta kanë dru edhe për muaj të tërë. Andaj në rast të nevojave do t’i bartim drutë nga një shkollë në tjetrën në mënyrë që mësimi mos të ndërpritet. Sidoqoftë ne si komunë kemi dashur t’a pezullojmë tenderin për shkak për shkak të asaj ankese ani pse ai operator ka qenë më i shtrenjtë në tender dhe operatori fitues i ka përmbushur të gjitha kriteret sipas komisionit vlerësues. Sidoqoftë mbetet të shihet në ditët në vazhdim rreth kësaj çështje”, ka thënë Llabjani. /Telegrafi/

Exit mobile version