Takimi i mbajtur sot në mëngjes ndërmjet Ministrisë së Sportit, Komunës së Prishtinës, Punëkryesit, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe klubit të FC Prishtinës në lidhje me stadiumin e kryeqytetit nuk dha lajme të mira për klubin e Remzi Ejupit, megjithëse vendimi final do të dalë pas disa orësh nga MKRS si investitor.
Si duket, lajmin që ndeshja me Dritën nuk do të zhvillohet në kryeqytet e kanë kuptuar shpejt tifozët e klubit, të cilët kanë shkaktuar incident jashtë stadiumit me të dalë nga mbledhja palët.
Një tifoz i Prishtinës e ka sulmuar verbalisht zv/sekretarin e përgjithshëm të FFK-së, Arianit Ahmetin me fjalët më të rënda, shkruan Gazetasheshi.com.
E gjithë ngjarja ka ndodhur në prani të drejtuesve të Prishtinës, kryetarit Remzi Ejupi, nënkryetarit, Ahmet Kurtolli dhe zyrtarit, Afrim Muçiqi.
Tifozi kishte tendenca për sulm fizikë, por zyrtarët e FFK-së iu shmangën kësaj, duke pasur qëndrim të qetë.
Ndryshe, për stadiumin e Prishtinës vendimin final e thotë Ministria e Sportit. FFK është deklaruar për çështjen duke thënë se është e fundit që vendos.
Prishtina e sheh FFK-në si penguesin më të madh që ndeshja të zhvillohet në këtë stadium.