Pas largimit të pishave përreth Teatrit Kombëtar të Kosovës, Ministria e Kulturës ka sqaruar se është duke u bërë investimi më i madh që është bërë ndonjëherë në restaurimin e plotë dhe zgjerimin e hapësirave të tij.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se për hartimin e këtij projekti janë angazhuar profesorë nga gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës, ndërsa thonë se janë pajisur me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve.
“Largimi i drurit në afërsi të teatrit ka qenë i paraparë në projekt për shkak që rrënjët e tij kanë qenë të mbështetura në muret e strukturës së ndërtesës, duke dëmtuar kështu strukturën dhe duke pamundësuar realizimin e punëve të drenazhimit, përforcimin e themeleve dhe vazhdimin e zbatimit të projektit.
Po kujdesemi që projekti të zbatohet tërësisht, dhe punët të zhvillohen në mënyrën më profesionale. Natyrisht që druri i prerë do të zëvendësohet. Hapësirat e gjelbërimit janë të parapara dhe do të zbatohen në detaje”, thuhet në sqarimim e Ministrisë.
Ndërkaq, për këtë sot kanë reaguar edhe nga Komuna e Prishtinës duke thënë se pishat janë prerë pa lejen e komunës.
Ndryshe, ditën e enjte ka ndodhur prerja e pishave që ishin përreth Teatrit Kombëtar, veprim i cili nxiti edhe reagime. /Telegrafi/