Site icon Telegrafi

Pas kërcënimeve të Kinës, SHBA po i dërgon Tajvanit ndihmë ushtarake prej 312 milionë eurove

Shtetet e Bashkuara kanë ndarë një ndihmë ushtarake në vlerë prej mbi 312 milionë euro ishullit të Tajvanit.

Paketa do të përfshijë edukimin dhe trajnimin ushtarak, njoftoi të premten administrata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, raporton reuters.

Lexo po ashtu Gjenerali amerikan, Mark Milley: Duhet të përshpejtohet dërgimi i armëve në Tajvan

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë nuk specifikoi se çfarë armësh apo pajisjesh do të dorëzoheshin, por raportet e mediave duke cituar zyrtarë të paidentifikuar thanë se furnizimet do të përfshinin sisteme “Patriot” të mbrojtjes ajrore, municione të armëve të vogla dhe pajisje zbulimi.

Liu Pengyu, zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington, tha se SHBA duhet të ndalojë shitjen e armëve për Tajvanin dhe “të ndalojë krijimin e faktorëve të rinj që mund të dërgojnë në tensionimin e situatës në ngushticën e Tajvanit”.

SHBA nuk e njeh zyrtarisht Tajvanin, i cili ka vetëm 13 aleatë diplomatikë, por ka kërkuar të forcojë mbrojtjen pas një qëndrimi gjithnjë e më agresiv të Pekinit ndaj ishullit, duke përfshirë inkursionet e rregullta nga aeroplanët luftarakë dhe anijet detare.

Në fillim të këtij muaji, Kina kreu stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë rreth Tajvanit për herë të dytë këtë vit, duke dërguar dhjetëra anije luftarake dhe aeroplanë afër brigjeve të Tajvanit. /Telegrafi/

Exit mobile version