Millorad Dodik, president i Republika Srpska, u vizitua sot nga ambasadori i Rusisë në Bosnje dhe Hercegovinë, Igor Kalabuhov.
Këtë e ka konfirmuar Dodik në një postim në llogarinë e tij X, i cili i ka shprehur mirënjohjen ambasadorit rus për mbështetjen dhe uron shërim të shpejtë.
Ai tha se çdo mbështetje nga miqtë e tij do të thotë shumë për të, transmeton Telegrafi.
Kujtojmë se Dodik iu nënshtrua një operacioni më 9 dhjetor në Beograd.
Operacioni në stomak dhe ezofag ishte i ndërlikuar, por rezultoi i suksesshëm.
Të shtunën ai u lirua për mjekim në shtëpi dhe do të vijojë shërimin, duke pasur parasysh kompleksitetin dhe specifikën e operacionit. /Telegrafi/