Klubi i basketbollit, Bashkimi ka fituar derbin shqiptar të Ligës Ballkanike.
Prizrenasit kanë triumfuar para shikuesve të vetë në palestrën sportive “Sezai Surroi” kundër Tiranës me rezultat 101-95, në saje të një vazhdimi prej pesë minutash.
Trajneri i ri i Bashkimit, Stratos Koukoulekidis, i ka falënderuar lojtarët për fitoren e arritur mbrëmë ndaj Tiranës në kuadër të BIBL-it.
Në deklaratën e tij të pas ndeshjes, ai ka thënë se ekipi ka luajtur mirë dhe se ka qenë dhurata më e mirë që e ka pranuar për ditëlindje.
“I uroj fitoren ekipit. Kemi luajtur shumë mirë. Lojtarët më dhanë një dhuratë shumë të mirë për ditëlindje. Mendoj se patëm disa probleme gjatë ndeshjes, por jam i lumtur për fitoren,” ka thënë Koukoulekidis, shkruan sot faqja zyrtare e ligës ballkanike.
Koukoulekidis mbrëmë ka festuar ditëlindjen e 58 dhe kjo ishte dhurata më e mirë për trajnerin grek.
Me fitoren e arritur mbrëmë, Bashkimi ka kaluar në pozitë të tretë të klasifikimit, me bilanc 3-5 pas 8 ndeshjeve të zhvilluara. /borozani/