Luigi Di Biagio thotë se Italia është në rrugën e duhur, por është ende në fillimin e udhëtimit të ri pas disfatës ndaj Argjentinës me rezultat 2-0.
Strategu i përkohshëm i Italisë debutoi me humbje në stolin e trajneri të kombëtare, ku golat për argjentinasit i shënuan Ever Banega dhe Manuel Lanzini.
Pas takimit ka folur Di Biagio duke thënë se do të vazhdojë të provojë skuadrën me formacionin 4-3-3, ngjashëm me atë që zbatoi te grupmoshat e reja.
“Ne duhet të vazhdojmë me këta individë dhe këtë sistem,” tha Di Biagio në konferencën për shtyp pas përdorimit të formacionit 4-3-3, ngjashëm me atë që zbatoi me U21.
“Ne u përpoqëm të luanim me presion ndaj kundërshtarit, por nuk arritëm në pjesën e parë sepse luajtëm kundër një ekipi fantastik”.
“Pashë një pjesë të dytë të mirë, ku në 30 minutat e para mund edhe të kishim shënuar gol. Ne pranuam dy gola, është zhgënjyese, por kjo është punë që kërkon durim dhe zhvillim të ngadaltë. Ne jemi në rrugën e duhur”.
“Kishim disa mundësi të rëndësishme për të shënuar kundër skuadrës që fitoi medaljen e argjendtë në Kupën e fundit të Botës. Le të mos harrojmë se disa prej lojtarëve tanë debutuan me kombëtaren”.
Miqësorja e ardhshme e Italisë është të martën në stadiumin Wembley kundër Anglisë. /Telegrafi/