Telegrafi

Pas deklaratës së Rizvanollit, reagon Haradinaj: Pohimet se 200 milionëshi i MCC-së nuk ishte i dedikuar për gazin janë të pavërteta

Fot

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas deklaratës së ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli në Telegrafi, ku tha se nuk ka projekt alternativ rus dhe se kjo ide është përmendur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai e ka cilësuar të pavërtetë deklaratën se 200 milione eurot e MCC-së nuk ka qenë i specifikuar për gazin.

Haradinaj pas kësaj deklarate ka njoftuar se ka dorëzuar sot në Kuvendin e Kosovës kërkesë për debat parlamentar për të diskutuar për çështjen e gazsjellësit.

“Është për keqardhje se si po provohet të devijohet çështja e gazsjellësit amerikan, duke u thënë të pavërteta për të. Pohimet se Fondi prej 200 milionë dollarësh i MCC nuk ka qenë i specifikuar për gazin dhe diversifikimin e energjisë, është krejtësisht i pavërtetë. Ka pothuajse tri vjet ç’prej se ka filluar ky projekt dhe janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e realizimit të tij. Janë bërë dy studime fizibiliteti që janë financuar me miliona dollarë të taksapaguesve amerikanë”, shkruan Haradinaj.

Tutje, ai thekson se “Pikërisht tani kur jemi në fazën e finalizimit të këtij projekti dhe në prag të skadimit të afatit për aprovim të vendosur nga MCC dhe SHBA, Qeveria e Kosovës ka vendosur pezullimin e tij, madje duke e cilësuar gazsjellësin amerikan si gaz rus”.

“Prandaj unë sot, i mbështetur nga Grupi Parlamentar i AAK-së, i kam dorëzuar Kuvendit një kërkesë për debat parlamentar, për të diskutuar hapur e me argumenta për këtë çështje tejet të rëndësishme për Kosovën dhe partneritetin me SHBA”, shkruan ai.

Përmes një postimi në Facebook, kryetari i AAK-së, ka thënë se “Çështja e gazit amerikan nuk mund as të mjegullohet e as të spostohet me të pavërteta”.

Ndryshe, Rizvanolli gjatë një interviste për Telegrafin ka thënë se nuk ka projekt alternativ rus dhe se kjo ide është përmendur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. /Telegrafi/