Telegrafi

Pas cunamit të fuqishëm që kishte goditur Indonezinë, polici ishte shpallur i vdekur – 17 vite më vonë e gjejnë të gjallë në një spital të psikiatrisë

Polici Abrip Asep që është shpallur i vdekur pas cunamit të fuqishëm që goditi Indonezinë në vitin 2004, është gjetur i gjallë në spitalin e psikiatrisë.

Asep ishte në detyrë në juglindje të Azisë kur ndodhi katastrofa natyrore, nga e cila humbën jetën 230 mijë njerëz, transmeton Telegrafi.

Familja e tij kishte menduar se atë e kanë “marrë” dallgët e larta, kështu e lajmëruan zhdukjen e tij e më vonë u shpall i vdekur.

Por, në fund doli se 17 vitet e fundit në fakt i ka kaluar në një spital. Për shkak të traumave që i kishte përjetuar, ishte sëmurë dhe është gjetur në një spital psikiatrik në provincën Aceh.

“Nuk kam mundur të besoj, për 17 vite nuk kemi pasur kurrfarë lajmi, kemi menduar që ka vdekur”, ka thënë një familjar i policit.

Policia lokale ka konfirmuar që Asep është gjetur në spitalin psikiatrik.

“Edhe pse ka probleme për shkak të sëmundjes mendore, familja është e lumtur që e kanë gjetur”, ka shtuar familjari i policit.

Por nuk është bërë e ditur se pse familja nuk ishte njoftuar që ai është gjallë.

Kujtojmë që gjatë 26 dhjetorit të vitit 2004, pjesa juglindore e Azisë ishte goditur nga një tërmet me fuqi shkatërruese prej 9 ballë të Rihterit me epiqendër në Oqeanin Indian – ku si pasojë ka ardhur deri te një cunami vdekjeprurës.

Dallgët mbi 30 metra të larta kishin goditur Indonezinë, Shri Lankën, Indinë dhe Tajlandën.

Më së rëndi ka kaluar Indonezi me mbi 167 mijë viktima – pavarësisht se besohet se numri i viktimave është shumë më i madh.

Mijëra njerëz – përkatësisht trupat e tyre të pajetë kurrë nuk janë gjetur. /Telegrafi/