Telegrafi

Pas ankesave të qytetarëve komuna e Ferizajt asfalton rrugën “Kemajl Hetemi”

Pas një varg ankesave dhe kërkesave të qytetarëve, drejtuar komunës së Ferizajt, për asfaltimin e rrugës “Kemajl Hetemi”, ekzekutivi ka vendosur në prioritet dhe ka finalizuar punimet. Këto ankesa të qytetarëve, janë adresuar edhe tek platforma ndreqe.com dhe te Telegrafi.com.

Qytetarët e kësaj lagjeje kanë dërguar edhe fotografi pas përfundimit të punimeve dhe kanë shprehur mirënjohje për publikimin e gjendjes së mëhershme të kësaj rruge. Njëkohësisht kanë falënderuar edhe institucionet komunale për shqyrtimin e kërkesave të tyre.

“Këto ankesa dhe kërkesa i kemi adresuar me kohë në komunë por edhe tek platformat e juaja dhe te portali telegrafi.com. Ndërkohë, komuna e Ferizajt i ka shqyrtuar kërkesat tona dhe ka vendosur në prioritet asfaltimin e kësaj rruge e cila është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme për të gjithë banorët e kësaj lagjeje. Derisa rruga ishte me gropa, si banor i kemi dëmtuar mjaftë shumë veturat dhe gjithashtu deri tash ka qenë e vështirësuar edhe qarkullimi”, ka thënë për telegrafin Besart Gashi, banor i lagjes.

Në anën tjetër, Arben Halili, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Ferizajt ka thënë se sipas radhës dhe mundësive do të asfaltohen të gjitha rrugët dhe rrugicat.

“Ne i shqyrtojmë gjithmonë kërkesat e qytetarëve për projekte kapitale, andaj sipas radhës dhe mundësive buxhetore do t’i rregullojmë të gjitha. Ndoshta ndonjë rrugë mund të ketë pak vonesa për asfaltim, por gjithsesi do të rregullohet brenda një të ardhme të afërt, prandaj për realizim të këtyre projekteve për çdo ditë po pranojmë falënderime dhe mirënjohje nga qytetarët”, ka thënë Halili.

Kujtojmë se, Ndreqe.com është platformë urë lidhëse për zgjidhje me të shpejt të problemeve lokale të qytetarëve në secilin lokalitet. /Telegrafi/