Site icon Telegrafi

Pas aksidentit hekurudhor në Greqi ku humbën jetën 38 persona, policia arreston drejtorin e stacionit të trenave

Policia greke ka arrestuar drejtorin e stacionit të trenave në Larisa, pasi ndodhi përplasja e dy trenave në Tempi ku si pasojë humbën jetën 38 persona.

Sipas informacioneve jozyrtare, i dyshuari akuzohet për veprën penale të shkeljes së sigurisë në komunikacion e cila ka shkaktuar vdekjen, transmeton Telegrafi.

Dënimet për këtë vepër variojnë nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.

Lexo po ashtu Në vendin ku ndodhi aksidenti hekurudhor në Greqi, shpesh ndodhin tragjedi – shumë njerëz kanë vdekur aty  

Në këtë moment dyshohet se përplasja ka ardhur për shkak të gabimit njerëzor, pra dyshohet se i arrestuari ka devijuar trenin e pasagjerëve në vijën zbritëse të qarkullimit, për pasojë është gjetur në të njëjtën linjë me trenin e mallrave dhe ka ndodhur një përplasje ‘kokë më kokë’.

I dyshuari gjatë marrjes në pyetje dyshohet se ka thënë se ka dhënë urdhër për zhvendosjen e binarëve, por se sistemi nuk e ka funksionuar.

Lexo po ashtu Droni në kërkim të zhdukurve, skena rrëqethëse nga vendi ku u përplasën dy trenat në Greqi

Nëse drejtori i stacionit do ta kishte kuptuar se treni i pasagjerëve lëvizte në të njëjtën linjë me trenin e mallrave, do të duhej të kishte urdhëruar që të dy trenat të ndalonin para se të afroheshin.

Ata kanë kërkuar dhe presin që së shpejti të marrin një transkript të një bisede të mundshme midis drejtuesit të stacionit dhe makinistit të trenit. /Telegrafi/

Exit mobile version