Partizani ka fituar si mysafir me rezultat 2-1 në ndeshjen e kthimit përballë Marsaxlokk, duke siguruar kështu kualifikimin për në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.
Pas barazimit 1-1 javën e kaluar në Elbasan, të dyja skuadrat e nisën sfidën në kërkim të golit, por pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.
Pjesa e dytë nisi keq për “Të Kuqtë”, pasi vendasit kaluan shumë shpejt në avantazh me anë të Yurit që realizoi golin e parë të mbrëmjes në minutën e 46-të, por ishte vetëm një iluzion.
Kjo pasi Partizani barazoi shumë shpejt me anë të Tedi Carës që realizoi në minutën e 48-të për 1-1 dhe gjithçka ndryshoi. Pas golit, kryeqytetasit diktuan ritmin dhe dominuan ndeshjen dhe kundërshtarin, teksa goli i fitores dhe kualifikimit vonoi, por nuk mungoi.
Në kohën shtesë, në minutën e 93-të, pas një aksioni të bukur, Albers Keko përfitoi dhe me portën e boshatisur realizoi duke çuar në rrjetë pasimin e Hadrojt.
Partizani siguron kështu kualifikimin për në turin e dytë të Ligës së Konferencës, aty ku do të masë forcat me skuadrën nga Gjeorgjia, Iberia 1999. /Telegrafi/