Telegrafi

Partia serbe që nxiti urrejtje kundër shqiptarëve, kroatëve dhe boshnjakëve nuk lejohet të merr pjesë në zgjedhjet e Bosnjës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnje dhe Hercegovinës (CEC) ia ndaloi të mërkurën një partie politike serbe të merr pjesë në zgjedhjet lokale të vendit që inkurajuan shovinizmin dhe përhapin urrejtje kundër kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve.

Në një seancë të jashtëzakonshme të CEC-it të mbajtur në Sarajevë, një problem doli në rendin e ditës pasi një video e partisë “Serbët e Bashkuar”, e udhëhequr nga Nenad Stevandiq, partneri më i afërt i i Milorad Dodikut, u përhap në mediat sociale më 20 shtator, raporton index.hr.

Stevandiq tani është anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, ku u ishte në listën e “Dodik SNSD” në zgjedhjet e vitit 2018, transmeton Telegrafi.

Tani, para fushatës për zgjedhjet lokale në Bosnje, partia e Stevandiqit ka bërë një video në të cilën shihen tre të rinj në një kafene që identifikohen si shqiptar, kroat dhe boshnjak, ku i tregojnë njëri-tjetrit se si u përleshën me serbët gjatë luftërave.

Pas kundërshtimeve të shumta ndaj përmbajtjes së asaj video, KQZ vlerësoi se ishte shkelje e dispozitave të Ligjit Zgjedhor që ndalon reklamat politike të cilat “mund të nxisin ose nxisin dikë në dhunë ose përhapjen e urrejtjes”.

Ndryshe, KQZ-ja thekson se është e ndaluar shprehimisht të publikosh ose të përdorësh imazhe, simbole, audio dhe video, mesazhe, komunikime në internet ose materiale të tjera që mund të shkaktojnë incidente ndër etnike. /Telegrafi/