Serbia me në krye Aleksandar Vuçiq është ndër shtetet e vetme në Evropë që nuk i kanë vendosur sanksione Rusisë pas agresionit ushtarak në Ukrainë. Madje në Serbi janë vendosur viteve të fundit një numër i konsiderueshëm i rusëve të cilët kanë hapur bizneset e tyre.
Në zgjedhjet e javës së kaluar një parti e regjistruar si “Partia Ruse” ka garuar dhe ka bërë ‘histori’ duke siguruar një ulëse në kuvendin e Serbisë.
Partia ruse, për të cilën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se “nuk e di se kush janë ata”, do të ketë përfaqësuesin e saj në parlamentin republikan dhe atë rajonal.
Për çudi, Vuçiq ka deklauar se ai ‘nuk e din se kush janë ata”, shkruan mediumi serb Danas.
Megjithatë, Vuçiq duhet të dijë vërtet për këtë parti, për faktin se njerëzit që udhëheqin listën e saj kanë qenë anëtarë të shquar të partisë së tij për vite me radhë.
Në parlamentin e Serbisë, partia ruse do të ketë një përfaqësues, bartës të listës dhe kryetar partie Slobodan Nikoliq, ndërsa në kuvendin e Vojvodinës sigurisht që do të ketë një, e ndoshta edhe dy deputetë, varësisht nga ndarja e mandateve.
“Pra, është e sigurt se në parlamentin rajonal do të hyjë Ljubica Bertovic, psikologe nga Subotica dhe e para në listë, e cila përndryshe ishte anëtare e shquar e SNS-it në pushtet në Suboticë. Në nivel nacional, Partia Ruse fitoi 0.3 për qind të votave, dhe në nivel provincial 1 për qind të votave, dhe pasi mori statusin e pakicës (16 anëtarë të RIK ishin pro, ndërsa 10 votuan kundër dhe një abstenuan), këto shifra u mjaftojnë atyre për t’u bërë parti parlamentare”, shkruan ky medium, transmeton Telegrafi.
Kjo parti është themeluar në qytetin e Shabacit në vitin 2013 dhe kryetari i saj Sllobodan Nikoliq me profesion është ekonomist, por edhe kryetar i Shoqatës së Miqësisë Serbo-Ruse “Vladimir Putin”. /Telegrafi/