Site icon Telegrafi

Parlamenti i Republikës Serbe e shpall të pazbatueshëm ndalimin e mohimit të gjenocidit në Bosnje

Sot, Parlamenti i Republikës Serbe (RS) miratoi Projektligjin për Moszbatimin e Vendimit të Përfaqësuesit të Lartë, i cili miratoi Ligjin për Ndryshimet në Kodin Penal të Bosnje-Hercegovinës.

Me këtë, politikanët e RS kanë treguar se janë institucionalisht kundër ndryshimeve në Kodin Penal të BH-së të vendosura nga Valentin Inzko, të cilat ndalojnë dhe dënojnë mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës.

Nga 83 deputetë, 73 ishin të pranishëm dhe 70 prej tyre votuan pro, ndërsa tre anëtarë ishin kundër, raporton klix.ba.

Projektligji ka tre nene ku thuhet se ndryshimet në Kodin Penal të BH nuk do të zbatohen në territorin e RS dhe se autoritetet kompetente të këtij enti nuk do të bashkëpunojnë me autoritetet kompetente të BH në lidhje me zbatimin e vendimit të Inzkos.

Përveç këtij propozimi, deputetët votuan gjithashtu ndryshimet në Kodin Penal të RS, i cili do të ndëshkonte ta quante Republika Serbe një krijim gjenocidal.

Ligji me ndryshimet e Inzkos ka hyrë në fuqi më 28 korrik.

Gjatë luftës së viteve 1990, forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi në vitin 2007 se këto vrasje kanë përbërë gjenocid.

Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq. /Telegrafi/

Exit mobile version