Parlamenti i Libanit votoi të enjten për të zgjedhur komandantin e ushtrisë së vendit, Joseph Aoun, si kreun e shtetit, duke mbushur një vakum presidencial prej më shumë se dy vjeçar.
Votimi erdhi disa javë pasi një marrëveshje e dobët armëpushimi ndaloi një konflikt 14-mujor midis Izraelit dhe grupit militant libanez Hezbollah, dhe në një kohë kur udhëheqësit e Libanit po kërkojnë ndihmë ndërkombëtare për rindërtim.
Aoun, pa asnjë lidhje me ish-presidentin Michel Aoun, shihej gjerësisht si kandidati i preferuar i Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite, ndihma e të cilëve Libanit do t’i duhet ndërsa kërkon të rindërtojë.
Sesioni ishte përpjekja e 13-të e legjislaturës për të zgjedhur një pasardhës të Michel Aoun, mandati i të cilit përfundoi në tetor 2022, transmeton Telegrafi.
Hezbollahu më parë mbështeti një kandidat tjetër, Suleiman Frangieh, kreun e një partie të vogël të krishterë në Libanin verior, me lidhje të ngushta me ish-presidentin sirian Bashar Assad.
Megjithatë, të mërkurën, Frangieh njoftoi se ishte tërhequr nga gara dhe miratoi Aoun, duke i hapur rrugën shefit të ushtrisë.
Randa Slim, një anëtare e lartë në Institutin e Lindjes së Mesme me qendër në Uashington, DC, tha se dobësimi ushtarak dhe politik i Hezbollahut pas luftës së tij me Izraelin dhe rënies së aleatit të tij, Asadit, në Siri, së bashku me presionin ndërkombëtar për të zgjedhur një president, hapi rrugën për rezultatin e së enjtes.
Në raundin e parë të votimit të enjten, Aoun mori 71 nga 128 vota, por nuk arriti shumicën e dy të tretave të nevojshme për të fituar plotësisht.
Nga pjesa tjetër, 37 ligjvënës hodhën vota të zbrazëta dhe 14 votuan për “sovranitetin dhe kushtetutën”. Në raundin e dytë ai mori 99 vota.