Parlamenti Evropian do të vazhdojë të diskutojë për zgjedhjet në Serbi. Kjo temë do të diskutohet në seancën e radhës që do të mbahet të mërkurën.
Në fillim të seancës plenare të sotme, shumica e eurodeputetëve votuan pro propozimit të socialdemokratëve për përfshirjen e diskutimit për situatën në Serbi pas zgjedhjeve të fundit, në rendin e ditës të seancës bazuar në misionin vëzhgues të Parlamentit Evropian.
Me propozim të Partisë Popullore Evropiane, në seancën plenare të Kuvendit nga 5 deri më 8 shkurt, eurodeputetët do të votojnë për rezolutën për zgjedhjet në Serbi, transmeton Telegrafi.
Andreas Schider, përfaqësues i socialdemokratëve, kujtoi se në Serbi u mbajtën zgjedhje të jashtëzakonshme, ku u regjistruan parregullsi të shumta që dëmtuan procesin zgjedhor dhe se autoritetet në Serbi, të udhëhequra nga presidenti Aleksandar Vuçiq, sulmuan vëzhguesit ndërkombëtarë kur i paraqitën publikisht vëzhgimet e tyre.
Propozimi u mbështet edhe nga përfaqësues të Partisë Popullore Evropiane. Në disa raporte u dëgjua se po e pengojnë debatin për Serbinë, duke kërkuar që ai të mbahet pasi misioni vëzhgues ndërkombëtar i ODIHR-it të publikojë raportin e tij.
Raporti paraprak i misionit vëzhgues të Parlamentit Evropian tregoi parregullsi të shumta, që nga presioni ndaj votuesve dhe riregjistrimi masiv i votuesve, përmes diskreditimit dhe sulmeve ndaj kundërshtarëve politikë, gazetarëve dhe anëtarëve të organizatave të shoqërisë civile, e deri te abuzimi me shtetin, funksionet dhe burimet shtetërore.
Misioni vëzhgues i Parlamentit të BE-së ishte pjesë e një misioni më të gjerë të vëzhguesve ndërkombëtarë për vëzhgimin e zgjedhjeve në Serbi, i cili udhëhiqej nga Zyra e OSBE-së për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut. /Telegrafi/