Site icon Telegrafi

Parlamenti Evropian miraton rezolutën ku kërkohet hetim për zgjedhjet në Serbi

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për zgjedhjet në Serbi, me të cilën kërkohet një hetim ndërkombëtar, e Komisioni Evropian kërkon që nëse vërtetohet vjedhja e zgjedhjeve, të ndërpriten fondet e Bashkimit Evropian në Serbi.

Rezoluta u miratua me 461 vota për, 53 kundër si dhe 43 abstenime, transmeton Telegrafi.

Në rezolutë, Parlamenti Evropian i bën thirrje Komisionit Evropian që të dërgojë një mision ekspertësh në Serbi, i cili do të vlerësonte situatën dhe në këtë mënyrë do të hidhte themelet për një dialog social që do të rivendoste besimin tek institucionet, sipas shembullit të “Raporteve Pribe” që janë shkruar në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinë.

Dënohet mungesa e përgjigjes nga institucionet ndaj dyshimeve serioze për përfshirjen e qeverisë në manipulime dhe abuzime zgjedhore, “që rezulton në mosndëshkim dhe garanton vazhdimësinë e kësaj praktike”.

Ftohen institucionet që të hetojnë dhe ndëshkojnë përgjegjësit për çdo akt kriminal gjatë zgjedhjeve, si dhe sulme ndaj studentëve.

Në rezolutë, eurodeputetët bëjnë thirrje gjithashtu për pezullimin e financimit të Serbisë nga BE-ja nëse autoritetet serbe nuk janë të gatshme të zbatojnë rekomandimet kryesore zgjedhore, ose nëse gjetjet e hetimit tregojnë se autoritetet serbe ishin të përfshira drejtpërdrejt në vjedhjen gjatë zgjedhjeve.

Lexo po ashtu PE-ja kërkon hetime ndërkombëtare për parregullsitë e raportuara për zgjedhjet në Serbi

Qeverisë i kërkohet gjithashtu që të bashkëpunojë plotësisht dhe në thelb me OSBE-në, Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.

Në panelin e sotëm në Parlamentin Evropian, Serbia në udhëkryq, para miratimit të rezolutës për zgjedhjet në Serbi, eurodeputetët së bashku me përfaqësuesit e listës Serbia kundër dhunës bënë kritika të ashpra ndaj Aleksandar Vuçiqit.

U tha se qeveria në Serbi ka keqpërdorur zgjedhjet dhe gjithë aparatin shtetëror, duke theksuar nevojën e një hetimi urgjent dhe të shpejtë ndërkombëtar të procesit zgjedhor. /Telegrafi/

 

Exit mobile version