Telegrafi

Parku Kulturor “Ali Podrimja” ndërpret aktivitetin

Parku kuturor “Ali Podrimja” në Gjakovë ishte një lokacion i cili për tetë edicione me radhë ishte shëndrruar në një pasqyrë ku shfaqej jeta kulturore e artistike e Komunës së Gjakovës dhe jo vetëm.

Mirëpo pas plotë tetë edicioneve, në një letër lamtumirëse, drejtuesit e këtij Parku, kanë bërë të ditur që parku ka ndërprerë aktivitetet, dhe që nuk do të ketë edicione të tjera në vazhdim.

Në njoftimin e publikuar nga ekipi i Parkut “Ali Podrimja”, bëhet e ditur se marrja e këtij vendimi nuk ka qenë aspak e lehtë, por duke pasur parasysh kushtet dhe sfidat e vazhdueshme, është parë e arsyeshme të bëhët edhe mbyllja e këtij kapitulli.

Parku ishte nisur si një iniciative vullnetare në vitin 2016, ku përgjatë këtyre viteve, ky park ka qenë lokacioni ku janë sjellë mbi 500 aktivitete kultore dhe artistike.

Në këtë rrugëtim, Parku “Ali Podrimja” është cilësuar, dhe vlerësuar si një nga projektet më të mira jo vetëm në Gjakovë por edhe në Kosovë, pasi përkushtimi dhe puna që është bërë nga vullenatrët e këtij parku, ka dëshmuar që përkushtimi dhe dashuria për komunitetin dhe kulturën mund të krijojnë një impakt të qëndrueshëm dhe të veçantë.

“Ka qenë kënaqësi për 8 vite me e mbajtë gjallë qytetin me kulturë dhe art, duke dhuruar momente dhe netë që do të qendrojnë gjatë në memoriet tona.”, thuhet tutje në njoftimin e bërë nga ekipi i Parkut Kulturor “Ali Podrimja”. /Telegrafi/