Telegrafi

Parkingu për personat me aftësi të kufizuara në Podujevë po shfrytëzohet nga banorët, flasin nga Handikos

Te parkingu afër Komunës së vjetër në Podujevë, janë katër vende të dedikuara për personat me aftësi të kufizuara.

Ndonëse shenjat janë të vendosura, qytetarët po i zënë këto parkingje, duke shkaktuar kështu telashe për të gjithë ata që i’u duhet kjo hapësirë, transmeton Telegrafi.

Idriz Hoxha, nga Handikos në Podujevë, për Telegrafin tha se një kohë nuk ka qenë as kjo hapësirë e dedikuar për personat me aftësi të kufizuara. Por,  edhe tash që është ajo po shfrytësohet nga njerëz të tjerë.

“Ne që një kohë të gjatë nuk kemi pas vend parkim për persona me aftësi të kufizuara dhe komuna i ka vu katër vende. Por, qytetarët po parkojnë në atë pjesë, ne i lusim qytetarët të mos parkojnë në atë hapësirë. Shumica nuk po e dinë domethënien e shenjës edhe pse janë të vendosura shenja në tokë dhe në mënyrë vertikale, vetëm vijnë dhe e lënë kerrin”, tha ai.

Tutje Hoxha theksoi se Handikos është vazhdimisht në bashkëpunim me policinë, dhe po ndërmarrin masa të vazhdueshme.

“Sigurisht ne jemi në bashkëpunim me policinë, ne i thërrasim policinë dhe policia i dënon vazhdimisht personat që po parkojnë veturat. Policia po bënë punën e vetë po prapëseprapë njerëzit nuk vetëdijesohen. Ka raste gati për ditë që personat me aftësi të kufizuara mbesin keq për shkak të zënies së parkingut. I kisha lutë të gjithë qytetarët t’i përcjellin shenjat dhe të mos na pengojnë”, tha ai. /Telegrafi/