Po, nuk kemi të bëjmë me ndonjë luftë të armatosur, por me derbin më pikant në botë, Derbi della Madonnina numër 175 në Serie A. Interi kundër Milanit, kampioni aktual i çdo gare, përballë klubit më të trofeshëm në histori të futbollit, zi-kaltrit e Massimo Morattit përballë kuq e zinjve të Silvio Berlusconit, në ndeshjen e cila do të masë forcat e rivalëve të përbetuar, rivalë të cilëve kurrë nuk u trembet syri për të dueluar në skalën epike të San Siros. 273 përballje, dy filozofi të ndryshme, një qytet dhe një qëllim – Scudetto. Këta janë dy rivalët më të mëdhenj lokalë në botë.
Interi që do të ketë përkrahjen e ushtrisë zi-kaltër në tribunat e tempullit të Meazzas, e që nuk njeh për humbje në derbi që më se dy vjet, do të vihet përballë Milanit që ‘o tash o kurrë’ ka vendosur t’ia ndërpresë ecurinë gjysmëdekadore të fitimit të Scudettove fqinjëve ‘të dashur’ nga Appiano Gentile.
Veçantia tjetër e derbit italian është rikthimi i viganit suedez Zlatan Ibrahimovic në Serie A, jo te Interi ku iu bë bezdi Scudettoja, por te rivali lokal Milani. Kjo është arsyeja shtesë për tifozët Nerazzurë për ta ndezur atmosferën në Meazza dhe për t’i treguar ‘Ibracadabras’ se gaboi që u transferua te Milani, përderisa suedezi do të tentojë ta ndalë zemrën për 90 minuta, vetëm e vetëm për t’ua dhënë fitoren e parë, për Scudetton e parë pas gjashtë vitesh Rossonerëve.
Klasi i leopardit Samuel Eto’o përballë ftohtësisë ‘Ibra’, ky është dueli i flaktë i sulmit, përderisa violinat për operën do t’i bëjnë gati fleksibiliteti Coutinho dhe eleganca Pirlo. Hesapet e pasqaruara nga sfidat e kaluara pritet që t’i pastrojnë në derbi ‘urtësia’ e Javier Zanettit dhe gjaknxehtësia e Gennaro Gattusos. Dhe kur skena të jetë e gatshme, atëherë në pah do dalin dy prej komandantëve më të mirë në botën e futbollit, snajperisti Sneijder me kreativitetin e tij, pritet që ta demantojë gjenialitetin e të vallëzuarit në fushë të njeriut që u lind me top, Ronaldinhos.
Nga e kaluara kemi parë se këto duele pos që vihen në letër në mënyrën letrare më perfide, vërtet ekzekutohen si të tilla në fushë. Jo më kot ndodh shumë rallë që ndeshjet mes këtyre dy skuadrave me plot e përplot histori në futbollin italian, t’i përmbyllin ndeshjet pa gola dhe pa tensione.
Një gjë është e sigurtë – Derbi della Madonnina i të dielës do të jetë shumë i nxehtë, përplot spektakël, duele të pakompromista dhe natyrisht spektakël me gola si zakonisht spekakolar, gjithë kjo në derbin më të madh lokal në botë, mes kampionit aktual të Evropës, Inter dhe të ringjallurve të ndërtuar nga materia e titujve, Milan. /Telegrafi/