Telegrafi

Parashikimi i motit për javën e ardhshme: Borë dhe temperatura deri në -19 gradë!

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës thotë se gjatë pesë ditëve të ardhshme në vend do të mbajë mot i ndryshueshëm, me intervale me diell dhe vranësira të dendura të cilat nga pasditja e së martës parashihen të shoqërohen me reshje bore.

Reshjet e kohëpaskohshme do të vazhdojnë për dy-tri ditë, të cilat vende-vende do të jenë më të theksuara.

Shtypja atmosferike e lartë, mbi vlerat e normales e cila ka përfshirë Ballkanin për plot një muaj, nga e mërkura do të zbresë nën vlerat e normales, me çka presim ndryshim te të gjithë parametrat meteorologjikë.

Erërat e fuqishme dhe reshjet e borës do të jenë prezent mbi vendin tonë. Pas reshjeve dhe fuqisë së këtyre masave me origjinë polare, parashihen ulje të dukshme të vlerave termike në dy ekstremet, duke bërë që merkuri në termometër të zbresë në fundjavë deri -17 gradë Celsius, kurse në viset malore deri -19 gradë Celsius.

Gjatë kësaj periudhe (e hënë-e premte) temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -11 deri -4 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 1- 4 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit me shpejtësi mbi 13m/s. /Telegrafi/