Telegrafi

Parashikim – Finalja e LK

Finalja e këtij viti është e jashtëzakonshme. Përpos faktit të lartpërmendur, ku pritet përplasja e gjigantëve gjermanë ndaj titanëve italianë, dihet mjaft mirë, se si askush tjetër, madrilenët janë mikpritës të finaleve, duke parë faktin se trofeu i më të mirit pushon në qetësi në varret e Bernabeut dhe atë nëntë herë. Fakt tjetër janë dy të ‘përjashtuarit’ e Real Madridit, Arjen Robben dhe Wesley Sneijder. Njëri më i mirë se tjetri, do të pranojnë në fund të sfidës, në podiumin e artë ku pritet të regjistrohet dhe historia e kompeticionit, medaljen nga njeriu që i largoi ata, Florentino Perez.

Inter

50 vite luftë…

Interi është ‘dora e hekurt’ e Serie A për më shumë se gjysmë dekade, ndërsa ka ardhur koha për një ndryshim stratosferik. Betejë pas beteje, janë bërë pothuajse 50 vite që kur Interi fitoi trofeun e fundit në Evropë.

I njohur për aftësitë e tij të larta motivuese dhe psikologjike, Jose Mourinho e ka udhëhequr Interin këtë sezon drejt fitoreve të shumta, drejt dominimit apo më mirë thënë drejt gjunjëzimit të disa prej gjigantëve më të mëdhenj evropianë. Mourinho ka arritur deri në betejën përfundimtare dhe betejën më të vështirë, atë të Bernabeut, ku jo shumëkush ka hipur në podiumin fitues.

Thënë të vërtetën, Interi ka pasur një short të vështirë që nga faza e grupeve, të cilën mezi e tejkaloi, duke lënë përshtypje të një sezoni të dështuar që në fillim, përshtypje që doli të jetë e gabuar. Në fazën 1/8 të finales, Interi luajti ndaj Chelseat, që e eliminoi me mjeshtëri të lartë, ndërsa merita për këtë i takon Jose Mourinhos, që iu hakmor Abramovichit në Stamford Bridge.

Gjiganti i radhës i nënshtruar nga Interi ishte Barcelona. Askush nuk do ta kishte menduar që Interi do të ishte i suksesshëm në takimin e parë, ku Mourinho u tregoi të gjithëve se është nga trajnerët më të mirë në botë. Në ndeshjen e dytë, ashtu siç tha dhe vetë Mourinho, ‘parkoi aeroplanin’ para portës së Barcelonës, që në krye me futbollistin më të mirë në histori të futbollit, Lionel Messi, nuk arriti të kalojë para murit të formuar nga mbrojtja e Interit me në krye Lucio dhe Samuel.

Forma e Interit

Siena 0-1 Inter (Serie A)
Inter 4-3 Chievo (Serie A)
Inter 1-0 Roma (Coppa Italia)
Lazio 0-2 Inter (Serie A)
Barcelona 1-0 Inter (Liga e Kampionëve)

Lojtarët dhe formacioni

Lëndimi i Davide Santon do ta mbajë atë sigurisht larg finales historike për shkak të dëmtimit fatal. Ivan Cordoba është në dyshim, ndërsa Sneijder pati çalime në sfidën e fundit ndaj Sienas edhe pse pritet që ai të luajë nga fillimi në finalen e të shtunës. Thiago Motta është i suspenduar për shkak të kartonit të verdhë të marrë ndaj Barcelonës në ndeshjen e dytë.

Jose Mourinho pritet të luajë me formacion 4-3-3, me dilemën më të madhe, se a do ta vë në treshen sulmuese talentin e ri Mario Balotelli apo do të vendosë për Goran Pandevin. Formacioni pritet të ketë tipare defensive, ndërsa nuk përjashtohet një shpërthim në periudha të ndryshme kohore të takimit, varësisht nga rezultati.

Formacioni i mundshëm: Julio Cesar, Douglas Maicon, Walter Samuel, Lucio, Javier Zanetti, Dejan Stankovic, Wesley Sneijder, Esteban Cambiasso, Samuel Eto’o, Diego Milito, Goran Pandev/Mario Balotelli.

Bayern Munich

Robben + fat = finale?

Bayern Munich, skuadra që askush nuk e kishte pritur të jetë ndër shkatërruesit e ëndrrave të disa prej gjigantëve evropian edhe në rangun lokal ‘copëtoi’ rivalët. Në fillim të sezonit, Bayerni u përball me vështirësi në të përshtaturit të formës së lojës, sidomos pas ardhjes së Arjen Robbenit. Forma e dobët dhe kalimi i fazës grupore me ‘qykë të zorit’ bënë që Bayerni të konsiderohej ‘outsider’ që në fazat e hershme të garës, veçanërisht për jostabilitetin.

Sfida ndaj Juventusit ishte pika kryesore kthyese e Bayernit këtë sezon. Një paraqitje që askush nuk e priti, bëri që Bayerni të rrëzojë nga piedestali Juventusin, për t’u takuar me një tjetër gjigant italian, Fiorentinan. Këtë të fundit bavarezët e tejkaluan me vështirësi, me ndihmën e njërit prej gjyqtarëve më qesharakë në histori të futbollit, Tom Henning Ovrebo dhe me një copë bukuri dhe vepër artistike nga maestro Arjen Robben.

Ndeshja e Fiorentinas u polemizua shumë, por jo pak u polemizua dhe takimi çerekfinal ndaj traditës angleze, Manchester United. Ndeshja e dytë u përshkrua nga gabime fatale të gjyqtarit, të cilat në mishërim me sakrificën Olic dhe natyrisht, me njeriun që shpon portat nga distanca, Arjen Robben, eliminuan Sir Alex Fergusonin, që ende nuk i besohet çfarë i ndodhi atij, pas epërsisë prej 3-0. Kroati Ivica Olic vetvetiu spastroi nga rruga Lyonin në gjysmëfinale, për të arritur në finale.

Bayerni deri në këtë pikë tashmë ka fituar dy trofe, ashtu si Interi dhe kërkon tripletën për të kurorëzuar një sezon të përkryer, një rinovim të kontratës nga Ribery dhe një pendim të Florentino Perezit pse e largoi Arjen Robbenin.

Forma e Bayernit

Bayern Munich – Werder Bremen 4-0 (DFB Pokal).
Hertha Berlin – Bayern Munich 1-3 (Bundesliga)
Bayern Munich – VFL Bochum 3-1 (Bundesliga)
Lyon – Bayern Munich 0-3
Munchengladbach 1-1 Bayern Munich (Bundesliga)

Lojtarët dhe formacioni

Bayerni shkaktoi një lloj stuhie për suspendimin e Franck Ribery, që definitivisht nuk do të luajë në finalen e të shtunës, përkundër apeleve në UEFA dhe CAS (gjykatën për arbitrim sportiv). Në vend të Ribery, pritet të paraqitet shkatërruesi turk, Hamit Altintop.

Van Gaal nuk ka probleme sa i përket lëndimeve dhe do të ketë në dispozicion pothuajse të gjithë lojtarët. Dilema e vetme e holandezit me përvojë është krahu i majtë, ku pritet të luajë ose Holger Badstuber ose i lojtari pa përvojë Diego Contento. Loja e Bayernit në këtë takim pritet të jetë me tipare sulmuese, me një aplikim të futbollit të bukur për të kënaqur sytë e adhuruesve të futbollit. Megjithatë, bavarezët do të kenë kujdes nga Nerazzurët me anë të dy gjigantëve, Van Buyten dhe Demichelis.

Formacioni i mundshëm: Hans Jorg Butt, Phillip Lahm, Daniel Van Buyten, Demichelis, Holger Badstuber, Arjen Robben, Bastian Shëeinsteiger, Mark Van Bommel, Hamit Altintop, Thomas Muller, Ivica Olic.

Lojtarët kyç të finales

Wesley Sneijder (Inter) ishte 12 muaj më parë në regjistrat e Real Madridit. Iu mbyll dera e Bernabeut për t’u hapur rrugën transferimeve astronomike të cilët erdhën për t’ia kthyer Realit Ligën e Kampionëve, ndërsa Sneijder këtë e bëri me Interin, duke e sjellë në ish-stadiumin e tij, me Realin që u eliminua shumë kohë më parë. Mesfushori ofensiv është njeriu kryesor prapa sukseseve të Interit, me tre gola vendimtarë të shënuar në Ligën e Kampionëve. I rrezikshëm nga gjuajtjet e lira dhe me një aftësi të paparë të pasimeve nga pozicione të paparamenduara, ai mbetet njëri ndër rreziqet kryesore për Bayernin në finalen e madhe.

Arjen Robben (Bayern Munich) edhe një tjetër ish-lojtar i Realit, ishte kreu i sukseseve të Bayernit në Ligën e Kampionëve. Holandezi ka shfaqur një sy të mprehtë në raport me golin në momente vendimtare, duke marrë detyrat e Ribery kur ky i fundit mungonte. Me Riberyn që do të mungojë në finale, është Arjen Robben ai që do të ketë barrën kryesore, furnizimin me topa të sulmuesve dhe projektilet e zakonshme nga 35 metra.

Epilogu

Shkaku që Interi kishte të bëjë me sektorin më të vështirë të shortit, e bën skuadrën italiane favorite të lehtë të finales. Edhe pse beteja mes Jose Mourinhos dhe Louis Van Gaalit është fascinuese, portugezi ka forcë më të madhe në thellësi të skuadrës së tij, me kolosët e mbrojtjes së Interit që pritet ta bëjnë diferencën, në një sfidë që pritet të jetë më shumë taktike, se sa teknike.

Parashikimi: Inter 2-1 Bayern Munich

/Telegrafi/