Site icon Telegrafi

Parashikim: Dortmund – Bayern


Vendi: Wembley Stadium – Londër
Koha: E shtunë, 25 maj – ora 20:45
Gjyqtar: Nicola Rizzoli (ITA)


 

Kliko këtu për të lexuar të gjitha deklaratat e trajnerëve, lojtarëve dhe fytyrave prominente botërore për finalen e madhe. Formacionet zyrtare para fillimit të takimit, kurse raporti special në fund të pjesës së parë dhe në fund të gjithë takimit.  

Dortmund

Ekipi më i papërshtatshëm në Evropë pritet që të përballet me mungesa kruciale. Mungesa evidente është ajo e Mario Gotzes, i cili thuhet se nuk ka arritur që të bëhet gati fizikisht, megjithëse besohet se statusi i tij prej lojtari të Bayern Munichut ka ndikuar në masë të madhe që ai të mos luajë fare në finalen shumë të rëndësishme për ekipin e tij.

Nëse për Bayernin inspirim është shkatërrimi copë-copë i Barcelonës, atëherë për Dortmundin krenari është gjunjëzimi i Real Madridit. E gjithë kjo u arrit falë një paraqitjeje impresive në ndeshjen e parë dhe angazhimi të jashtëzakonshëm të trajnerit Jurgen Klopp, që mund të tregohet vendimtar në finale. Kjo pasi strategu më i mirë gjerman duhet të mbulojë mungesën në krah të Gotzes dhe kjo do të jetë e vështirë që të bëhet.

Dortmundi në finale pritet të paraqitet pa ndonjë ndryshim thelbësor, megjithëse hipotezë më e mundshme sipas ekpsertëve tanë është implementimi i Nuri Sahin në një rol më ofensiv në përpjekje për të zëvëndësuar Gotzen. Strategji mund të mbetet që të kemi edhe rotacion mes Gundogan dhe Sahin, të dy këta lojtarë që njihen me tipare të shumëanshme në mesfushë. Nuk përjashtohet as një avansim i mundshëm i Piszczek në krah, por këtë më mirë pritet ta vendosë Klopp para fillimit të takimit.


                         Weidenfeller

Pisczek – Subotic – Hummels – Schmelzer
         Gundogan – Bender – Sahin
                        Reus – Kuba
                        Lewandowski


Forma në pesë ndeshjet e fundit
Dortmund 1-2 Hoffenheim
Wolfsburg 3-3 Dortmund
Dortmund  1-1 Bayern
Real Madrid 2-0 Dortmund
Dusseldorf 1-2 Dortmund

Bayern Munich

Bayerni pritet të paraqitet me formacionin më të fortë në këtë takim. Mungesa në shtabin bavarez nuk pritet që të ketë, teksa Jupp Heynckes do të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët në një formacion që duhet të jetë inspirues drejt trofeut të parë në Ligën e Kampionëve pas një kohe të gjatë dhe pas dy dështimeve të mëdha në katër vitet e fundit.

Bayerni ka arritur që ta zhvillojë lojën e tij në masë të madhe në sezoni e fundit. Shpejtësia në sulme, qëndrueshmëria në mbrojtje dhe stabiliteti i jashtëzakonshëm në mesfushën defensive kanë bërë që Bayerni të kalojë nëpër ecuri të frikshme. Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse formacioni i mëposhtëm i Bayernit do të jetë i motivuar për të hequr nga koka tabunë e finaleve të krijuar pas dy dështimeve.

Shaqiri mund të jetë shqiptari i parë që do ta fitojë Ligën e Kampionëve, por ai nuk pritet që të jetë në formacionin bazë, kjo për shkak të preferencës së Heynckes që t’i besojë përvojës së egoistit Arjen Robben.


                             Neuer
   Lahm – Dante – Van Buyten –  Alaba
          Schweinsteiger – Martinez
          Ribery – Muller – Robben
                          Mandzukic


Forma në pesë ndeshjet e fundit
Munchengladbah 3-4 Bayern
Bayern 3-0 Augsburg
Dortmund 1-1 Bayern
Barcelona 0-3 Bayern
Bayern 1-0 Freiburg

Përballjet direkte

Bayern Munichu ka formë shumë më të mirë në ndeshjet e fundit, por kjo nuk mund të thuhet në përballjet direkte me Dortmundin. Bayerni e ka gjithmonë të vështirë në derbit ndaj rivalit të përbetuar dhe kjo vërtetohet nga fakti që në gjashtë ndeshjet e fundit Bayerni nuk e ka mposhtur Dortmundin në Bundesliga. Sidoqoftë, këtë Bayerni e ka bërë në kuadër të Superkupës dhe të Kupës së Gjermanisë.

Bundesliga, 4 maj 2013 – Dortmund 1:1 Bayern
Kupa DFB, 27 shkurt 2013 Bayern 1:0 Dortmund
Bundesliga, 1 dhjetor 2012 – Bayern 1:1 Dortmund
Superkupa, 12 gusht 2012 Bayern 2:1 Dortmund
Kupa DFB, 12 maj 2012 Dortmund 5:2 Bayern

Lojtarët kryesorë

 

Robert Lewandowski

Nuk ka dyshime se Robert Lewandowski është njeriu që e ke udhëhequr Dortmundin drejt finales së Ligës së Kampionëve, me 10 golat e tij deri në ndeshjen e fundit të këtij sezoni në elitën e futbollit evropian. Ai mund të luajë ndeshjen e tij të fundit për Dortmundin dhe duke marrë parasysh statistikat e tij impresive ndaj Bayernit, ai e ka mundësinë që të largohet në mënyrë heroike nga klubi që e ngriti dhe e bëri yll.


Franck Ribery


Mesfushori i Bayernit është në formë të hatashme në ndeshjet e fundit. Shpejtësia e tij dhe teknika e jashtëzakonshme e bëjnë atë të pandalshëm në duelet përballë kundërshtarëve, ndërsa aftësia e tij për të realizuar, e sidomos për të asistuar, e bëjnë atë njeriun kryesor në terren për Bayernin, njeriun nga i cili dhe pritet të nisin aksionet vdekjeprurëse për Dortmundin.


Epilogu

Ndeshja pritet të jetë një epos më vete. Duke marrë parasysh rivalitetin, e sidomos skenaret e ashpra mes dy taboreve në përballjet e fundit direkte, duhet që sigurisht të presim një përballje të zjarrtë.

Beteja e vërtetë do të jetë në krah, ku Bayerni do të tentojë që me anë të Arjen Robbenit dhe Franck Riberys të thyejë fazën defensive e ku ata do të përballen me Lukas Piszczek dhe Marcel Schmelzer, të cilët janë në formë të lartë. Mesfusha e Bayernit do të duhet të garantohet që Reus të mos ketë shumë hapësirë, kurse për Leëandoëskin dhe mprehtësinë e tij para golit vetëm Zoti mund ta ndihmojë Bayernin.

Megjithëse Bayerni favorizohet nga shumë si fitues, Dortmundi nuk do të dorëzohet. Fantazmat e dy disfatave të kaluara do të jenë të pranishme dhe do të shkaktojnë pengesa në psikologjinë e lojtarëve të Bayernit, ndërsa Dortmundi do të shfryjë gjithë mllefin nga humbja e titullit dhe e Mario Gotzes. Ndeshja mund të vendoset shumë lehtë në penalti.


Parashikimi: Dortmund 2:2 Bayern, (pas penaltive triumfon Dortmundi)


Si mendoni ju lexues të nderuar dhe sportdashës – kush do të jetë ekipi që do të triumfojë të shtunën? Shprehuni në hapësirën për komente… 

 

/Telegrafi/

 

 

Exit mobile version