Site icon Telegrafi

Parashikim – Derby d’Italia

Koha: E dielë, 20:45.
Vendi: Stadiumi Giuseppe Meazza, Milano.

Juventusi siç dihet është skuadra më e trofeshme italiane, me 27 Scudetto, ndërsa përballë do ta ketë rivalin e përbetuar, rivalin me të cilin ka ende disa hesape të pasqaruara nga viti 2006, viti i Calciopolit, kemi të bëjmë me Interin që ka një yll në fanellë dhe 18 tituj të Serie A në vitrinë. Siç është lartpërmendur, rivaliteti mes dy filozofive të ndryshme është ngritur drastikisht pas Calciopolit, ku Interi ia mori dy tituj Juventusit. Ky është një prej shkaqeve të shumta, pse derby d’Italia është një nga ndeshjet më të tensionuara italiane, në mos më e tensionuara dhe pikërisht për këtë arsye, Telegrafi.com është vendi ku do të detajizohet ky supertakim i gjigantëve.

 

Buzëqeshje në krizë…

A është vërtet Interi në krizë? Këtë do ta shohim jo më larg se të dielën. Interi vjen pas një fitoreje sensacionale prej 4-0 ndaj Werderit, por javën e kaluar në Serie A, Interi pësoi dhe shokun e parë këtë sezon nga Roma. Interi është lider, por loja e Nerazzurëve dhe fondi i lojtarëve lë pak vend për të shpresuar te tifozët nerazzurë, të cilët janë të zhgënjyer nga mosangazhimi në tregun e transferimeve.

Nga ana tjetër, Nerazzurët në shtëpi nuk dinë për humbje që prej më se dy vitesh, humbje e shkaktuar kjo pikërisht nga Juventusi. Statistikë vërtet impresionuese kjo, marrë parasysh dhe mbrojtjen solide të Interit, që ka pranuar vetëm tre gola në pesë javët e para.

Forma e Interit:

Inter – Werder Bremen 4:0
Roma – Inter 1:0
Inter – Bari 4:0
Palermo – Inter 1:2
Twente – Inter 2:2

Gjendja e ekipit: Thiago Motta, Javier Zanetti, Walter Samuel, Marco Materazzi dhe Diego Milito janë të lënduar. Philipe Coutinho pritet të luajë nga fillimi në krahun e majtë, të mesfushës së përbërë prej tre mesfushorëve qëndrorë, me në krye si sulmues kryesor, Samuel Eto’on.

Lojtari kyç:

Samuel Eto’o është aktualisht golashënuesi më i mirë në Serie A, me pesë gola në pesë javët e para. Kamerunasi pos të tjerash është në formë të lartë, sidomos pas het-trikut të realizuar të mërkurën ndaj Werder Bremenit. Tani Eto’o me një rol më ndryshe se sa nën Jose Mourinhon, mbetet njeriu kryesor te kaltër e zinjtë.

Formacioni i mundshëm i Interit (4-3-2-1): Julio Cesar, Lucio, Ivan Ramiro Cordoba, Christian Chivu, Maicon, Esteban Cambiasso, Wesley Sneijder, Dejan Stankovic, Philippe Coutinho, Goran Pandev, Samuel Eto’o.

 

E ri-ringjallura Zonja e Vjetër !

Pas një sezoni dëshpërues, më zhgënjyesin në historinë e bujshme juventine, Bianconerët janë rikthyer mirë në skenën e futbolli italian.

Juventusi aktualisht gjendet në pozitën e nëntë në tabelën e Serie A, me vetëm tre pikë më pak se lideri Inter. Juventusi ndeshjen e kaluar në Serie A e fitoi me rezultat 4-2 ndaj Cagliarit në Torino, ndërsa arriti një barazim të merituar në transfertë te City, duke dhënë shenja të mira para derbit.

Ish-kampionët e Evropës dhe Italisë, janë gjithashtu në formë të jashtëzakonshme para golit me 12 shpime të portave në Serie A. Por, Juventusi çalon në mbrojtje, aty ku do të duhet vëmendje maksimale për shkak të formës së lartë të Eto’os.

Forma e Juventusit

Manchester City – Juventus 1:1
Juventus – Cagliari 4:2
Juventus – Palermo 1:3
Udinese – Juventus 0:4
Juventus – Lech Poznan 3:3

Gjendja e ekipit: Gianluigi Buffon, Armand Traore dhe Amauri nuk janë të gatshëm për lojë. Alessandro Del Piero sipas të gjitha gjasave do të startojë pranë Vincenzo Iaqiuntas në sulmin bianconer, të sistemit 4-4-2, të cilin pritet ta përdorë Del Neri.

Lojtari kyç:

Kush tjetër pos Alessandro Del Pieros. Legjenda e Juves u nxori probleme të mëdha mbrojtëve të Cityt, ndërsa goditja e tij e lirë e cila qëlloi metaliken, tregoi edhe njëherë se ai është lojtari më i mirë i Juventusit këtë sezon. Del Piero do përkujdeset për t’i vënë nën presion mbrojtësit e hekurt të Interit.

Formacioni i mundshëm i Juventusit (4-4-2): Marco Storari, Giorgio Chiellini, Leonardo Bonucci, Leandro Rinaudo, Zdenek Grygera, Milos Krasic, Felipe Melo, Claudio Marchisio, Simone Pepe, Vincenzo Iaquinta, Alessandro Del Piero.

Statistikat kokë më kokë:

 

Pesë ndeshjet e fundit:

Serie A, 16 prill, 2010            Inter – Juventus 2:0
Coppa Italia, 28 janar, 2010   Inter – Juventus 2:1
Serie A, 5 dhjetor,2009         Juventus – Inter 2:1
Serie A, 18 prill, 2009            Juventus – Inter 1:1
Serie A, 22 nëntor, 2008       Inter – Juventus 1:0

Në 180 përballje mes Interit dhe Juventusit në Serie A, u regjistruan këto statistika:

Juventusi: 80 fitore, 45 barazime, 55 humbje, 259 gola të shënuar, 228 gola të pranuar

Interi: 55 fitore, 45 barazime, 80 humbje, 228 gola të shënuar, 259 gola të pranuar.

Fitorja më e lartë e Juventusit ndaj Interit është regjistruar më 10 qershor të vitit 1961, kur atëkohë Bianconerët turpëruan me rezultat 9:1 Nerazzurët.

Nga ana tjetër, Interi e shënoi fitoren më të lartë ndaj Juventusit më 4 prill të vitit 1954, me rezultat 6:0.

Epilogu i takimit:

Beteja kryesore pritet të zhvillohet në mesfushë. Wesley Sneijder do të ketë punë me Claudio Marchision, kurse Dejan Stankovic me kreativitetin e një Simone Pepe. Nga ana tjetër, interesante do jetë dhe lufta mes Chivus dhe Milos Krasic.

Të dielën do të shohim edhe beteja tjera interesante në sulm. Samuel Eto’o do të ketë të bëjë me Giorgio Chiellinin, mbrojtësin më të mirë italian, i cili është i fortë si hekuri në mbrojtje dhe i rrezikshëm si skifter në sulm. Edhe Vincenzo Iaquinta do të ketë punë të vështirë, marrë parasysh dimensionet e mbrojtësit më të mirë në botë, Lucio.

Është vështirë e besueshme se Interi do të lejojë Juventusin t’ia shkatërrojë formën briliante në shtëpi, por kurrë nuk i dihet se çfarë fshehet pas një forme aq të mirë të Juventusit.

Parashikimi: Inter 2:1 Juventus, eventualisht barazim 1:1.

Ju lexues të nderuar, çfarë mendoni – kush do të jetë fituesi i derbit Inter – Juventus? Cili është formacioni juaj dhe parashikimi për këtë ndeshje? Shprehuni në hapësirën për komente…

/Telegrafi/

Exit mobile version