Dëshirë e flaktë
Madje në gjithë historinë e El Classicos, kjo është ndeshja e cila pritet si asnjë tjetër. Barcelona, që ende konsiderohet si klubi më i mirë në planet, do të ndeshet me Real Madridin e Jose Mourinhos që kërkon fronin pas dy vitesh, gjithë kjo në syrin e publikut mbarëbotëror.
Blaugranët kanë tentuar që të qëndrojnë sa më larg stuhisë së publicitetit para ndeshjes së të hënës, koha e zhvillimit të së cilës ka zgjuar shumë polemika. Trajneri Pep Guardiola natyrisht se do të jetë i kënaqur me komunikimin e ekipit të tij në fushë, sidomos pas fitores së lartë prej 8-0 ndaj Almerias në udhëtim, sinjal i qartë ky për rivalët nga galaktika tjetër.
Duke mos lëshuar për asnjë sekond sytë prej topit, Barcelona shfaqi paraqitje fenomenale kur mposhti Panathianikos me rezultat 3-0 në Athinë në kuadër të Ligës së Kampionëve të mërkurën mbrëma, me ç’rast siguroi kualifikimin më tej.
Humbja e Barcelonës në këtë ndeshje do ta linte atë përsëri në ndjekje të rivalit të përbetuar, përsëri në pozitën e dytë por me katër pikë të mëdha prapa.
Potencial i jashtëzakonshëm
Barcelona mund të ketë luajtur në mënyrë të jashtëzakonshme së fundi, por këtë e ka bërë edhe Real Madridi i Jose Mourinhos. Frika se një skuadër e superpërforcuar mund të dështojë, u tregua një teori tejet e gabuar pasi që vet efektiviteti flet më shumë – 33 gola për 12 javë.
Ashtu siç të gjithë kanë pritur nga një skuadër e komanduar nga gjenerali Mourinho, ashtu dhe Real Madridi e dëshmoi një urtësi të lartë mendore, me mentalitet defensiv kur kërkohej, por me apetit të pashtershëm kur duhej shënuar, gjë që madrilenëve ua siguroi fitoren në disa raste, kur kjo ishte e pamundur. Një barazim në sekondat e fundit i Pedro Leon ndaj Milanit e shpëtoi Mourinhon, i cili është në ‘kërkim’ të humbjes së parë si trajner i Real Madridit.
Duke ndjekur hap pas hapi kundërshtarët katalanas, Los Blancos kanë arritur disa rezultate ‘frikësuese’ gjatë javës së kaluar. Një lëvrim ndaj Athletic Bilbaos prej 5-1, pasoi një copëtim tjetër të Ajaxit me rezultat 4-0, kjo e fundit me polemika pas përjashtimit të ‘detyruar’ nga Jose Mourinho të Sergio Ramosit dhe Xabi Alonsos.
Prezenca e Mourinhos do t’i japë sfidës nxehtësi speciale, pasi që ishte mjeshtria e tij taktike ajo që ia bëri Barcelonës futbollin bajat një vit më parë, kur me Interin marshoi midis Camp Nou drejt zenitit të elitës së futbollit evropian. Marrëdhëniet mes portugezit dhe Pep Guardiolas janë të ftohta, kështu që prisni sulme si jashtë, ashtu dhe brenda fushës.
Lajmet ekipore
Barcelona
Gabriel Milito është i vetmi lojtar standard i Barcelonës që mungon për ndeshjen e madhe të së hënës.
Real Madrid
Jose Mourinho ka më shumë telashe kur flasim për lëndimet, por Ricardo Carvalho, Sami Khedira dhe Gonzalo Higuain, të gjithë janë të gatshëm për lojë. Kaka dhe Fernando Gago mungojnë për shkak të lëndimeve.
Forma kokë më kokë
Real Madrid – Barcelona 0:2
Barcelona – Real Madrid 1:0
Real Madrid – Barcelona 2:6
Barcelona – Real Madrid 2:0
Real Madrid – Barcelona 4:1
Forma e Barcelonës
Panathianikos – Barcelona 0:3
Almeria – Barcelona 0:8
Barcelona – Villarreal 3:1
Barcelona – Ceuta 5:1
Getafe – Barcelona 1:3
Forma e Real Madridit
Ajax – Real Madrid 0:4
Real Madrid – Bilbao 5:1
Gijon – Real Madrid 0:1
Real Madrid – Murcia 5:1
Real Madrid – Atletico Madrid 2:0
Lojtarët kyç
Lionel Messi
Në ndeshjet e mëdha, Barcelona gjithnjë mbështetet në shkelqësinë e Lionel Messit. Lista e fjalëve superlative për ta përshkruar argjentinasin fantastik është thjeshtë e pafundme, ndërsa nëse shohim formën së fundmi të tij, është e drejtë ta konsiderojmë si një prej dy lojtarëve më të mirë në botë.
Ishte i jashtëzakonshëm në therrjen që i ndodhi Almerias me rezultat 8:0 javën e kaluar, ku ai shënoi tre dhe asistoi në dy gola, plus ishte në listën e realizatorëve ndaj Panathianikos në mesjavë. Vlen të përmendet se Messi ka shënuar në nëntë ndeshjet e fundit për klubin dhe kombëtaren.
Cristiano Ronaldo
Ashtu si Lionel Messi që është asi i Barcelonës, i tillë është për Real Madridin edhe Cristiano Ronaldo. CR7 ka qenë thjeshtë i pandalshëm për Los Blancos këtë sezon, ndërsa ka ndjekur rivalin e tij gol për gol. Ashtu si Messi që shënoi hettrik fundjavën e kaluar, ashtu bëri edhe Ronaldo, i cili ishte në formë mbretërore që nga fillimi i tetorit. Sigurisht se 25 vjeçari do të ketë rol të madh në El Classico.
Formacioni i Barcelonës (4-1-2-3): Victor Valdes, Carles Puyol, Gerard Pique, Eric Abidal, Daniel Alves, Sergio Busquets, Andres Iniesta, Xavi, Pedro, David Villa, Lionel Messi.
Formacioni i Real Madridit (4-3-1-2): Iker Casillias, Pepe, Ricardo Carvalho, Marcelo, Sergio Ramos, Xabi Alonso, Sami Khedira, Angel Di Maria, Mesut Ozil, Cristiano Ronaldo, Gonzalo Higuain.
Epilogu
Jose Mourinho nuk ka pësuar ende asnjë humbje si trajner i Real Madridit, por El Classico është ndeshja më e madhe për të deri në këtë moment. Edhe Barcelona edhe Real Madridi janë në formë të mrekullueshme. Por, janë katalanasit ata që janë treguar më impresivë me lojën e tyre sikur në Sony Playstation edhe pse Real Madridi ka qenë tepër i fortë. Do të ketë mendime të ndryshme rreth sfidës, por duke parë statistikat e Real Madridit dhe Jose Mourinhos, ashtu si të një mundësie shfaqje të potencialit maksimal nga të dyja skuadrat, një barazim mund të jetë rezultat i drejtë për sfidën.
Parashikimi: Barcelona 2-2 Real Madrid
/Telegrafi/