Në mes të korrikut, Ambasada amerikane në Kabul dërgoi një paralajmërim për një kolaps të mundshëm të pushtetit në Afganistan pas tërheqjes së SHBA-së.
Sidoqoftë, Ambasada amerikane nuk sugjeroi që kjo mund të ndodhte edhe para tërheqjes, tha sekretari i Shtetit Antony Blinken gjatë dëshmisë së tij në Kongres.
“Unë e mora paralajmërimin në mes të korrikut. E lexova dhe iu përgjigja. Aty kishte dy informacione, por nuk sugjeroi që do të kishte një kolaps të qeverisë dhe ushtrisë afgane para se të largoheshim”, tha Blinken.
Blinken nënvizoi se në shkresë ambasada shprehte shqetësim serioz për mundësinë e mbijetesës së qeverisë dhe ushtrisë afgane pas largimit të forcave amerikane, dhe vuri në dukje se tërheqja e bashkëpunëtorëve lokalë të SHBA -së duhet të përshpejtohet.
Siç është raportuar më parë nga mediat amerikane, shkresa e paralajmërimit ishte dërguar më 13 korrik dhe thuhej se talebanët po pushtuan me shpejtësi territore në të gjithë Afganistanin dhe se një kolaps i shpejtë i forcave afgane të sigurisë do të pasonte.
Diplomatët amerikanë në shkresën e dërguar gjithashtu dhanë rekomandime për mënyrat për të lehtësuar krizën dhe për të shpejtuar evakuimin.
Talebanët filluan një ofensivë kundër forcave të atëhershme qeveritare në fillim të gushtit dhe hynë në Kabul më 15 gusht. Për shkak të kësaj, u ndoq një evakuim masiv i qytetarëve të vendeve perëndimore, si dhe afganëve që punuan për ato vende. /tch/