Site icon Telegrafi

Paqeruajtësit turq të KFOR-it nisin pastrimin e shtretërve të lumenjve të dëmtuar nga vërshimet në Komunën e Dragashit

Fotografia ilustruese: ZKM

Komuna e Dragashit ka njoftuar se paqeruajtësit turq që shërbejnë në kuadër të KFOR-it kanë filluar aksionin për pastrimin dhe zgjerimin e shtretërve të lumenjve të dëmtuar nga vërshimet.

Punimet sipas komunikatës po kryhennga Njësia e LMT-së së kontigjentit turk të KFOR-it në Dragash.

“Punimet fillimisht kanë nisur në lumin e fshatit Bresanë, ku aktualisht është duke u bërë heqja e rërës, gurëve, drunjve dhe materialeve të tjera të cilat e kanë zënë shtratin e lumit. Pas Bresanës, punimet do të vazhdojnë në fshatin Kuk dhe pastaj në fshatrat Kosavë, Blaç dhe Zaplluxhe”, thuhet në njoftimin e Komunës, raporton Telegrafi.

Organet komunale i kanë bërë thirrje banorëve të këtyre fshatrave që të jenë bashkëpunues me LMT-në e KFOR-it Turk, dhe ata që kanë prona rreth lumenjve të mos i pengojnë punimet, të cilat sipas autoriteteve lokale bëhen për interes të tyre dhe të të gjithë qytetarëve tjerë.

 

“Gjithashtu, kërkojmë nga qytetarët që të kenë kujdes të shtuar – sidomos me fëmijët e tyre – në zonat ku do të zhvillohen punimet me ekskavator”, thuhet në njoftim.

Në të njëjtën kohë është sqaruar se “drunjtë, që do të shkulen nga shtrati i lumit gjatë pastrimit, do të vendosen përreth pronave të banorëve të cilët mund t’i shfrytëzojnë për nevojat e tyre”.

“Përveç ndihmës në pastrimin e lumenjve të fshatrave të prekur nga vërshimet, Njësia e LMT-së e KFOR-it Turk në Dragash do të vazhdojë t’i mbështesë qytetarët e Komunës sonë edhe me projekte të tjera”, përfundon njoftimi, raporton Telegrafi.

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini në disa raste ka kërkuar përkrahje nga KFOR-i për intervenim në shtretërit e lumenjve të dëmtuar nga vërshimet në qershor të këtij viti. /Telegrafi/

Exit mobile version