Telegrafi

Papa Françesku viziton rajonet e Irakut që dikur kishin qenë të uzurpuara nga ISIS

Papa Françesku po viziton pjesë të Irakut verior që u mbajtën nga militantët e Shtetit Islamik (ISIS) në ditën e tretë të vizitës së tij historike në vend.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Shteti Islamik uzurpoi rajonin në vitin 2014 duke pasur në cak krishterët dhe pakicat e tjera. Krishterët janë kthyer që kur ISIS u mund në vitin 2017.

Papa Françesku pritet më vonë që të kremtojë meshën në një stadium futbolli në Irbil, dhe në këtë kremtim pritet të marrin pjesë deri në 10 mijë njerëz.

Ekziston frika se ky ritual mund të rezultojë drejt një ngjarjeje super-përhapëse të coronavirusit. Iraku është përballur me një rritje të mprehtë të infeksioneve gjatë muajit të kaluar.

Udhëheqësi 84-vjeçar i Kishës Katolike dhe shoqëruesit e tij janë vaksinuar të gjithë, mirëpo Iraku mori vetëm grupin e parë të dozave gjatë javës së kaluar. /Telegrafi/